Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak njofton se po punojnë fort për të ndaluar emigracionin e paligjshëm përmes gomoneve që janë kthyer në shqetësim për qeverinë britanike.
Në një postim në Twitter, Sunak thotë se do ta luftojnë emigracionin ilegal përmes marrëveshjeve të reja me Shqipërinë dhe Francën duke qenë se shqiptarët hyjnë në Britani ilegalisht me gomone nga porti francez. Kryeministri britanik theksoi po punojnë edhe me Bashkimin Europian për t’i dhënë zgjidhje fluksit të emigrantëve.
“Ne po veprojmë ndërkombëtarisht për të ndaluar gomoneve, duke thelluar bashkëpunimin tonë për të luftuar emigracionin ilegal përmes marrëveshjeve të reja me Shqipërinë dhe Francën, por edhe duke punuar me BE”, shkroi Rishi Sunak.
Sipas një artikulli të ‘The Sun’, brenda disa javësh do të nënshkruhet një marrëveshje mes dy vendeve për përshpejtimin e largimit të të burgosurve shqiptarë nga burgjet në Britaninë e Madhe. Kjo marrëveshje do të realizohet pas një vizite që kanë kryer zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit të Burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar në burgjet e Shqipërisë, për të cilën patën rënë dakord kryeministri Edi Rama dhe Rishi Sunak në takimin që zhvilluan më 23 mars.
The Sun shkruan se Ekipi i Mbretërisë së Bashkuar vizitoi të gjitha burgjet tona në Peqin, Lezhë, Fushë Krujë dhe Drenovë në qytetin e Korçës. Sipas shkrimit, Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë vendin tonë në modernzimin e burgjeve dhe më pas sipas marrëveshjes një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve që vuajnë dënimin në Britani do të kthehen dhe do ta kryejnë atë në burgjet e vendit tonë.
/s.f