Një futbollist italian ka ndërruar jetë pasi ka rënë në një kanal në Amsterdam dhe është mbytur.
Gabriele Gallani, kapiten i ASD Piccardo Traversetolo, në kategorinë e pestë, ishte me pushime në Holandë kur ndodhi tragjedia.
24-vjeçari ishte duke ecur në buzë të kanalit në distriktin Kloveniersburgwal, kur ra në kanal. Menjëherë u njoftua policia dhe futbollisti u nxor nga kanali, por në gjendje të rëndë shëndetësore dhe vdiq në spital, disa orë më vonë.
Luca Prampolini, President i ASD Piccardo Traversetolo, deklaroi për “Parma Today” që “vdekja e Gabriele Gallanit është e pashpjegueshme: nuk pinte alkool, nuk tymoste, ishte sportist dhe notar i shkëlqyer”.
Policia holandeze ka nisur një hetim mbi vdekjen e të riut italian.
/s.f