Greqia me shumë gjasë është duke iu drejtuar zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat mund të mbahen më 25 korrik, pasi procesi zgjedhor i së dielës së shkuar edhe pse nxori fitues “Demokracinë e Re” të kryeministrit Kiriakos Mitsotakis, nuk i ka dhënë atij shumicën për të formuar qeverinë.
Në Greqi një parti duhet të marrë një shumicë prej të paktën 151 vendesh në Kuvend, nga 300 në total, për të formuar qeverinë e re.
Vetë Mitsotakis nuk pranoi që të krijojë një qeveri koalicioni dhe ditën e djeshme i komunikoi Presidentes Katerina Sakellaropoulou se nuk janë kushtet për të qeverisur vendin, duke kërkuar që të përshpejtohen procedurat për të shkuar sërish në zgjedhje më 25 qershor.
Pas kryeministrit, edhe lideri i SYRIZA, Aleksis Tsipras i është drejtuar sot Pallatit Presidencial, për të refuzuar mandatin që i lejon krijimin e një qeverie koalicioni, edhe pse shumë besonin në një bashkpëunim të tij me PASOK dhe partitë e tjera opozitare për të larguar Mitsotakis nga pushteti.
“Siç e dini, nuk janë krijuar kushtet për të formuar një qeveri. Ndaj iu përgjigja detyrimit tim institucional dhe t’ju them që nuk do të marr mandatin”, i tha ai Presidentes greke.
Ndërkohë, në dalje nga pallati presidencial, Tsipras deklaroi se rezultati i zgjedhjeve është i dhimbshëm, si për SYRIZA-n ashtu edhe për shoqërinë greke.
Ai iu kërkoi falje njerëzve që u lënduan nga rezultati dhe njëkohësisht tha se merr përgjegjësinë e plotë për përqindjen e ulët të votave që arriti të marrë partia e tij.
“Kërkoj falje dhe marr përgjegjësinë e plotë për rezultatin e zgjedhjeve”, u shpreh ai.
Pas Tsipras, stafetën e mandatit për të krijuar qeverinë do ta marrë kreu i PASOK-ut, Nikos Androulakis, i cili pritet që po ashtu ta refuzojë menjëherë atë, duke çuar Greqinë drejt zgjedhjeve të reja.
/a.r