Rojet e Kishës së Laçit janë dhunuar barbarisht nga shitësit ambulantë në zonë. Këta të fundit nuk janë lejuar që të shesin brenda këtij territori ndërsa kanë treguar rezistencë ndaj përfaqësuesve të kultit fetar.
Si pasojë e konfliktit, rojet e Kishës së Laçit pretendojnë se janë dhunuar nga shitësit ambulantë, ndërsa kanë denoncuar rastin në polici.
Sipas tyre, fenomeni i shitësve ambulantë është kthyer në shqetësim për përfaqësuesit e Kishës së Laçit, të cilët në denoncimin e tyre theksojnë se institucionet nuk kanë marrë masat e duhura për shmangien e incidenteve.
“Problemi jonë është që aty po na dëmtojnë rojet, me tregtarët e paligjshëm, e kemi njoftuar disa herë policinë, dhe nuk ndërhyn as policia bashkiake dhe as policia e rendit. Nuk na kanë dhënë as përgjigje, asgjë. Kjo punë do të zgjidhet vetëm me vetëgjyqësi, nëse nuk ndërhyn shteti gjendja do të rëndohet edhe më tepër.
Kemi kërkuar largimin e tregtarëve ambulantë, dhe policia asnjëherë nuk na ka ndihmuar, ata nuk kanë kurrfarë licence. Nga drejtoria na përcjellin, thonë duhen police gra, dhe e kemi vetëm një grua police që është me leje lindje. Ky është justifikimi i tyre se nuk kanë police femër dhe nuk mund të na mbështesin”, shprehet Gjon Shkëmbi, shef i sigurisë në Kishën e Laçit.
/s.f