Në kuadër të operacionit policor të koduar “Midnight 11” është arrestuar 28-vjeçari, Selami Zyberi, i cili transportonte me furgon kundrejt pagesës 300-1000 Euro për person, 25 shtetas të huaj që do të kalonin ilegalisht kufirin drejt vendeve të BE-së.
Pas marrjes së informacioneve në lidhje me rastin, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Qafë Plloçë-Qukës”, pranë fshatit Golik, Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar.
I riu Zyberi, sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit në automjetin furgon tip “Benz”, u gjetën 25 emigrantë të paligjshëm.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/a.r