Kreu i ri i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i cili u zgjodh në këtë post pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt, ka folur për zërat për një rikthim të mundshëm të Lulzim Bashës në krye të PD.
Ai tha në emisionin “Opinion” se pas dorëheqjes së Alibeajt ka pranuar detyrën që ky i fundit kishte për drejtimin e grupit parlamentar por jo atë të drejtimit të partisë..
Pjesë nga diskutimi
Dorëheqja e Alibeajt, është një tentativë për t’i hapur një kthim të mundshëm të Bashës? A po luan Alibeaj për një kthim të Bashës në krye të kësaj pjese të mbetur të PD?
Gazment Bardhi: Nuk e di, unë e kam kuptuar aktin e dorëheqjes së zotit Alibeaj siç ai e ka shpjeguar në publik.
Po ju vetë Bardhi po luani për një kthim të mundshëm të Bashës në krye të PD?
Gazment Bardhi: E kam shprehur qëndrimin tim dhe është publik. Kam qenë ndër të vetmit nga të dyja pjesët, së bashku me një pjesë të madhe të madhe të grupit parlamentar që kemi bërë thirrje mbi mënyrën si gjithë PD do duhej të hynte në një zgjedhje.
Tani jemi në një fazë të re kur zgjedhjet kanë mbaruar. Unë nuk e kam komentuar rezultatin e zgjedhjeve sepse nuk ka nevojë për t’u komentuar. Si politikan secili prej nesh do duhet vetëm ta lexojë atë rezultat.
A i hap dorëheqja e Alibeajt rrugë një rikthimi të Bashës në krye të kësaj pjese të mbetur të PD? Pyetja është e drejtpërdrejtë.
Gazment Bardhi: Që të bëj një shpjegim. Unë kam pranuar përgjegjësinë e drejtuesit të grupit parlamentar por nuk kam cilësinë që kishte Alibeaj në drejtimin e Partisë Demokratike./m.j