Policia e Tiranës ka identifikuar dy adoleshentë të cilët kanë grabitur telefonat e dy shtetaseve të huaja nën kërcënimin e thikës.
Policia e kryeqytetit njofton se është proceduar penalisht njërj prej tyre, një shtetas 16-vjeç, ndërkohë që personi tjetër 18-vjeç, është shpallur në kërkim.
Policia ka sekuestruar 3 aparate celulare dhe 1 automjet. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas njoftimit të marrë për një vjedhje me dhunë, në rrugën “Islam Alla”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar, procedimi në gjendje të lirë i njërit prej tyre, shtetas 16 vjeç, banues në Tiranë, dhe shpallja në kërkim e tjetrit, shtetasit E. L., 18 vjeç.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, i kanë marrë celularët dy shtetaseve të huaja, duke i kanosur me mjet prerës (thikë), dhe më pas janë larguar me automjet”, njoftoi policia.
/s.f