Një javë pas zgjedhjeve lokale të 14 majit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur ankesat e para zyrtare. Deri më 21 maj, Komisioneri ka regjistruar 9 ankimime të palëve politike edhe për Bashkitë, ku tashmë është certifikuar rezultati zgjedhor. Një sërë partish të vogla si Lëvizja e Legalitetit, Aleanca Demokristiane, apo Uniteti Kombëtar kërkojnë rinumërim për Këshillat Bashkiakë në Pukë, Lezhë, Kamëz, Durrës e Tiranë.
Përveç ankimimeve në KQZ, kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Lefter Maliqi ka paraqitur kallëzim në SPAK me pretendimin për manipulim të rezultatit në Kuçovë.
Rezultati negativ i opozitës në zgjedhjet e 14 majit nuk është shoqëruar me një mea-culpa por menjëherë pas përfundimit të numërimit, nisën akuzat për manipulim të procesit zgjedhor.
I pari që artikuloi pretendimet për parregullsi ishte kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, i cili rezultatin më të dobët të opozitës në pluralizëm e justifikoi me atë që e quajti “tjetërsim të tmerrshëm të votës”
Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Kamzën, ku u votua dhe numërua elektronikisht, Arjan Hoxha, artikuloi akuza për manipulim përmes pajisjes, ndërsa teksa zhvilloi një protestë simbolike para KQZ, kërkoi hapjen e kutive dhe ekspertim të pajisjes elektronike të votimit.
Jo vetëm në Kamëz, por edhe në Elbasan, opozita e vë fajin e rezultatit te pajisja e votimit elektronik, duke e quajtur këtë proces manipulim të votave për llogari të kandidatit fitues.
Në zgjedhjet vendore të 14 majti, opozita arriti të merrte vetëm 7 bashki, ndërsa në asnjë prej 61 në total nuk siguroi kryesimin e këshillave bashkiakë./m.j