Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani është shprehur se përgjegjësit në opozitë për humbjen e zgjedhjeve vendore të 14 majit duhet të tërhiqen dhe t’i japin hapërisë intelektualëve të rinj që mund të ringrejnë PD-në.
I ftuar në Panorama TV, ai u shpreh se karrigia e kryetarit nuk është me mastiç dhe as e tyre, ndaj theksoi se duhet një rithemelim kimik i PD-së dhe reformim, duke krijuar kontakte me qytetarët e mbështetësit.
Gerti Bogdani: Këta njerëz që janë përgjegjës për këtë gjë duhet t’i japim zgjidhje demokratëve duke krijuar hapësirën. Nuk është çështje e një individi apo 2 individësh, por e një enturazhi të tërë që fatkeqësisht kanë lënë demokratët në opozitë dhe shqiptarët pa shpresë.
Partia Demokratike në mënyrë absolute duhet që të bashkohet, e vërtetuan këto zgjedhje, e gjithë kjo periudhë.
I përçari është gjithmonë i sunduar, ndaj PD-së i duhet një bashkim real që i jep shpresë demokratëve. Të gjithë ata që nuk kanë lënë fjalë pa i thënë njëri-tjetrit, nuk më vjen mirë që sot të bëjnë bashkimin.
Bëhet fjalë për rithemelim kimik të PD-së, bashkimi është hapi i parë dhe hapi i dytë është reformimi, në sensin e të bërit punë në mënyrë konstante, jo sa herë të kesh zgjedhje. Të kesh partner qytetarin. Dhe në fund fare një rinovim i thellë, i gjithë kasti drejtues, që e ka çuar PD dhe opozitën në këtë rezultat që flasim sot.
A duhet të jenë këto emra?
Në politikë të mbajnë ose të heqin votat, jo opinioni. Askush nuk thotë që duhet të ikë Berisha, është lideri historik i PD-së, aq sa është historia e PD-së aq është edhe historia e Berishës. Nuk është fjala të heqësh dikë, por të krijohet hapësirë për intelektualë të rinj që duan ta ringrejnë PD-në dhe Shqipërinë.
Këta njerëz i kanë provuar të gjitha, nëse duan të vendosin interesin e demokratëve dhe shqiptarëve para, atëherë duhet të bëjnë një hap mbrapa dhe ta lirojnë terrenin.
Duhet krijuar një garë reale në të kundërt në 2025 do kemi të njëjtin rezultat në mos më keq.
Nëse gënjejmë veten duke thënë se po bëjmë sikur po bëjmë zgjedhje, por po unë do jem aty, ndërkohë që kam qenë fajtor në organizimin e zgjedhjeve të dështuara, të fushatës, në dështimin e hallkave dhe të rezultatit, por të jenë po aty mbase me një emërtim tjetër apo pozicion tjetër atëherë kemi gënjyer veten, duhet të jemi të pastër dhe të drejtë.
Duhet të kuptojnë që karrigia që kanë nuk është me mastiç dhe nuk është e tyre, kjo është në të mirë të demokratëve dhe shqiptarëve. Këta njerëz duhet të bëhen koshient dhe të vendosin interesat e vendit fillimisht dhe pastaj interesat e tyre./m.j