Në deklaratën e dorëheqjes si kryetar i komanduar, Enkelejd Alibeaj thirri mbledhjen e kryesisë më 19 maj ora 12:00, por nuk kishte dërguar asnjë njoftim tek anëtaret e kryesisë siç e përcakton statuti i PD.
Sipas këtij të fundit, një kryetar i dorëhequr nuk e thërret dot Kryesinë e partisë.
“Të drejtën për të kërkuar thirrjen e mbledhjes dhe për të propozuar vendime Kryesisë së Partisë e kanë Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm ose 1/5 e anëtarëve të Kryesisë. Vendimet në Kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Në rast se nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, atëherë mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga kuorumi”, thuhet në statut.
Një pjesë e anëtarëve të kryesisë janë shprehur për A2CNN se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar, përveç lajmeve që kanë parë 1 ditë më parë.
Burime bëjnë me dije se fillimisht do të mblidhet grupi parlamentar për të diskutuar mbi situatën dhe më pas do të diskutohet me strukturat e tjera të partisë.
/a.r