Agron Gjekmarkaj thotë se Berisha dhe Basha duhet të tërhiqen të dy nga lidershipi i Partisë Demokratike, pasi kanë humbur të drejtën morale për ta drejtuar atë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Gjekmarkaj deklaroi se drama e PD-së nuk mund të zgjidhet pa Berishën, por edhe nën drejtimin e tij kjo parti nuk mund të jetë fituese.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Sali Berisha e ka mbyllur misionin e tij në politikë. Ai me siguri do të vijojë të qëndrojë, por sot e gjithë Shqipëria e di që ai nuk mund të fitojë më zgjedhje. Po Lulzim Basha? Me gjasë ai do të përpiqet të rikthehet. Mendoni se Basha mund ta nxjerrë PD-në nga agonia? Edhe ai është një humbës kronik…
Agron Gjekmarkaj: Duhet të jemi të ndershëm edhe me zotin Berisha. Për pjesën që është histori, e ka mbajtur PD-në në pushtet për 13 vjet. Pavarësisht problemeve që ka krijuar dhe kritikat që kemi, le t’i japim atë që i takon. Tani është në një moment të tretë, kur ka probleme me kohën, shoqërinë dhe aleatët. Drama e PD nuk zgjidhet dot pa Berishën, por nuk fitohet me Berishën. Ai ja doli të merrte 510 mijë vota. Atëherë në momentin që nuk mjafton, shkohet drejt pjesës që nuk fiton dot me Sali Berishën. Duhet një lidership dhe platformë e re.
Basha, nëse rikthehet do të rikthehet për të marrë një parti të vdekur, që është partia e vulës. Edhe Basha edhe Berisha duhet të tërhiqen, ata nuk mund të jenë zgjidhje e PD. Basha ka humbur të drejtën morale, për të qenë lider i opozitës.
/a.r