Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për dështimin e opozitës në zgjedhje dhe arsyet pse Partia Demokratike po vijon të zvogëlohet nga zgjedhjet në zgjedhje.
Sipas Gjekmarkajt, kanë ndikuar një sërë faktorësh, duke filluar nga përçarja e partisë deri te pamundësia e kësaj partie për të ndjekur ritmin e shoqërisë, duke mbetur mbrapa dhe duke tërhequr gjithnjë e më pak njerëz drejt saj.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Pse i humbi kaq thellë opozita zgjedhjet?
Agron Gjekmarkaj: Arsyet mendoj se janë të shumta. Thelbësore është dinamika e fortë e përcarjes së Partisë Demokratike. Fuqia e konsumimit të lidershipit të PD. Mungesa dhe forca e saj për të ndjekur ritmin e shoqërisë, me pretendimin gati tribal që shoqërua të ndjekë nga pas Partinë Demokratike. PD ka hyrë në “lufëtë civile” që nga përjashtimi i zotit Berisha.
Ylli Rakipi: Një arsye thelbësore është përçarja, por them se nuk i ka humbur vetëm prej përcarjes. Po të mbledhim votat e PD dhe BF, sërish opozita humbet në shumicën e bashkive.
Agron Gjekmarkaj: Është ndjesia që shqiptarët kanë që PD tashmë nuk ëhtë ajo parti që u themelua në 90’, një parti intelektualësh, parti urbane dhe e qytetit, avant guarde. PD është shndërruar në retrograde. Në një parti rurale. Në një parti që nuk ka raport të mirë me botën intelektuale dhe akademi. Është parti ku uni dhe ndjesia e pronës është shumë e dukshme.
Do të thuash që PS nuk është ndryshe, mund të jetë edhe më keq, por duket qenë se ka bazë majtas dhe ka pushtetin prej vitesh, vijon të mbetet parti fituese.
Ylli Rakipi: PD, shumë e vjetër në koncepte. Vijohet me të gjithë parrullat e vitet 90. E Pse nuk ka arritur kjo parti të rinovohet dhe të përputhet me kohën kur jetojmë?
Agron Gjekmarkaj: Sepse partia është dirigjuar nga një person. Edhe tani që flasim, duke mbrojtur tezën që u vodhën zgjedhjet, po flitet sërish par hapjen, kur gjithmonë në krye është i njëjti person. Nuk është thjesht çështje matematike. Politika është edhe diçka përtej, është edhe kimi. Kjo përcarje ka vrarë edhe frymën, ka demoralizuar. Pamjet dhe kujtesa e 8 janarit, ku ziheshin me hunj, ka demoralizuar të gjithë votuesit, mbështetësit e opozitës.
PD nuk arriti asnjëherë të bëjë një analizë të vetëvetes. Nuk arriti të jetë mbështetëse me shtresat e veta, të persekutuarit, pronarët. Duke u tërhequr shtresat tradicionale dhe duke mos u bashkuar të rinj, zvogëlohet baza.
/a.r