Ish deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari ka folur këtë të Enjte përmes një lidhjeje Skype për Klan News sa i takon rezultateve zgjedhore. Ajo u shpreh se kjo humbje e madhe e PD-së vjen si pasojë e sfidave të shumta brenda forcës politike e nga ana tjetër prej manipulimeve të qeverisë.
“E para, e thashë qartë që kjo humbje patjetër ka pasur sfida të mëdha për PD, përçarja, logoja në mënyrë të padrejtë. Ka patur dhe manipulime të shumta dhe nga krahu i qeverisë. Por, gjithsesi është e qartë mendoj që kryetari i PD në këtë rast, pas një humbjeje të PD, ne duhet të kemi një rrugë shpëtimi dhe ajo vjen nëpërmjet bashkimit, reflektimit dhe zbatimit të statutit.
Një pikë shumë e rëndësishme që vetë Berisha me anëtarët e PD në Kongresin e 11 Dhjetorit ka pasur një ndryshim ku thuhet se kryetari i PD duhet të rikonfirmohet nëse humbet zgjedhjet lokale, dhe ky ishte rasti i tillë. Nuk mund të jetë kurrë Edi Rama njeriu i preferuar i qytetarëve shqiptarë pas shumë e shumë skandaleve, duhet gjetur një lidership, një komunikim i qartë dhe mënyrat më të mirë të mundshme për t’ju përgjigjur qytetarëve dhe këtë radhë nuk ia arritëm dot për shkak të dëmeve që i janë bërë PD.”
Hajdari theksoi se rruga e vetme e shpëtimit të PD-së është të kryhen ca ndryshime. E për këtë ajo shtoi se në bazë të statutit duhet rikonfirmuar kryetari i partisë.
“Kjo është thirrja ime ndaj anëtarëve, patjetër unë respektoj vendimin e tyre, por nga ana tjetër duhet të ndryshojmë, duhet të kuptojmë që zoti Berisha patjetër ka forcën e tij, por a është figura më e drejtë dhe më e mirë për të na çuar në pushtet apo të ketë vizionin e PD, lidershipi i vjetër nuk sjell më risi për një parti”, tha ajo.
Thirrja e Hajdarit për anëtarësinë ishte që “nuk duhet të bien pre e së shkuarës” pasi nevojitet lidership i ri. Ajo la të kuptohej se Sali Berisha nuk mund ta çojë më përpara Partinë Demokratike.
“Ka një statut, një procedurë pastaj se ca vendos i takon anëtarësisë. Thirrjet e mia janë nëpërmjet anëtarëve nuk duhet të biem pre e retorikës së të shkuarës, të kuptojmë disfatat në mënyrë që të ecim para dhe të jemi forcë fituese se në fund të fundit kjo na duhet.
Berisha duhet të rikonfirmohet para anëtarëve besoj se është një gjest i duhur, pas një humbjeje duhet një reflektim i thellë që të riorganizohet dhe duhet një lloj ndryshimi, një bashkim imediat në mënyrë që të shpëtojë. Berisha të dalë para anëtarësisë dhe të rikonfirmohet sipas statutit”, përfundoi ish-deputetja.
/s.f