Tefik Tashi nuk ka shfaqur pendesë për krimin makabër që kreu mesditën e së mërkurës në fshatin Kusarth të Elbasanit. Ai ka dëshmuar se e vrau me vetëdije kunatën e tij 44-vjeçare Alma Qevani. Detajet i përcjell gazetari Fatos Salliu mëngjesin e kësaj të enjteje në një lidhje live me Klan News.
“Bashkëshortja e Tefik Tashit, Etleva Qevani është shprehur se gjithçka nisi kur ajo me motrën e saj ishin në arë, ndërkohë që ai ka telefonuar për të pyetur se ku ndodheshin. Por viktima në këtë rast nuk e ka ngritur e telefonin dhe ky ka qenë shkaku që është nxehur. Ai ka rrëmbyer sëpatën, ka shkuar në drejtim të tyre duke e goditur pa mëshirë”.
“Në polici ai është shprehur se prej kohësh kishin grindje mes tyre, se kunata e përbuzte, se ditën e djeshme nuk i kishin gatuar, se motrën e saj e shfrytëzonte duke e përdorur në punë të ndryshme dhe së fundmi nuk po e linte që të qëndronte bashkë me të. Pra të gjitha këto konflikte familjare ishin zanafilla që përfundoi në tragjedi”, raporton gazetari.
Pasi u godit me sëpatë në mes të rrugës nga kunati i saj, 44-vjeçarja Alma Qevani u dërgua në spital, por plagët e marra ishin tejet të rënda dhe ndërroi jetë. Pas ngjarjes autori u largua në fshatin Bradashesh, që ndodhet pranë. Ai u arrestua pasi u pikas nga autoritetet policore duke vrapuar me sëpatën me vete e duart e gjakosura.
/a.r