Diell Çela, 55 vjeç, mbeti i plagosur me armë zjarri këtë të mërkurë në Peqin. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti me 52-vjeçarin, Sokol Dehima, i cili është shpallur në kërkim. Gjithnjë sipas policisë, i plagosuri ka shkuar vetë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 11:10, në spitalin e Peqinit, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shtetasi Diell Çela 55 vjeç, banues në Peqin, i cili dyshohet se është dëmtuar me armë zjarri, gjatë një konflikti me shtetasin Sokol Dehima, rreth 52 vjeç, banues në Peqin. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe janë duke kontrolluar territorin, me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit Sokol Dehima. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, tha policia në një njoftim për ngjarjen.
Ndërkohë, gazetari Fatos Salliu raporton se 55-vjeçari Diell Çela, është ish-kreu i PD për Peqinin dhe se është kërcënuar me jetë edhe në shkurt të vitit 2016.
Megjithatë, duke cituar drejtorin e Policisë Elbasan, Ilir Proda, gazetari thotë se ngjarja nuk ka prapavijë politike, por ka lidhje me detyrën e bashkëshortes së Çelës si drejtoreshë e spitalit të Peqinit.
Gjithnjë sipas burimeve të gazetarit, bashkëshortja e të plagosurit mësohet se ka larguar nga puna gruan e autorit të dyshuar, Sokol Dehima dhe për këtë arsye kanë lindur konfliktet.
/a.r