Partia Socialdemokrate e Tom Doshit rezulton deri më tani forcë e parë në tre këshilla bashkiakë, ndërsa pritet që të marrë edhe një të katërt. Në Vaun e Dejës, në Pukë dhe në Fushë Arrëz, partia e Doshit ka marrë më shumë vota se partitë e tjera.
Në Vaun e Dejës ka marrë 4082 vota duke i përkthyer në 10 mandate në Këshill. Në këtë bashki ndiqet nga koalicioni “BF” dhe Partia Socialiste që kanë marrë nga 7 mandate.
Në Pukë, PSD-ja ka marrë 1024 vota duke i dhënë 4 mandate. Ajo ndiqet nga PS dhe Aleanca Arbnore Kombëtare që kanë marrë nga 2 mandate.
Ndërsa në Fushë Arrëz, PSD-ja ka marrë më shumë vota se partitë e tjera, por mandatet i ndan njësoj me Partinë Agrare Ambientaliste. Partia e Doshit ka marrë 593 vota ndërsa PAA 586. Një avantazh i lehtë, por që i jep të dyja partive nga 3 mandate.
PSD-ja ka shanset që të marrë edhe në një bashki tjetër ku nuk ka përfunduar numërimi. Bëhet fjalë për Malësinë e Madhe. Aty numëron 2176 vota të cilat përkthehen në 8 mandate.
Në Malësinë e Madhe, PSD-ja ndiqet nga PS-ja. Megjithatë pritet fundi i numërimit për të mësuar saktësisht si do ndahen mandatet. Në Malësinë e Madhe kanë ngelur pa u numëruar 22 kuti.
/a.r