Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga një ekip drejtuesish të lartë të shëndetësisë, në vijim të vizitës së punës që po kryen në SHBA, ka zhvilluar një takim pune me Trevor Gunn, nënpresident i “Medtronics”, kompanisë së mirënjohur të prodhimit të teknologjisë mjekësore.
Gjatë takimit, ministri Beqaj e ka njohur nënpresidentin e kompanisë “Medtronics” me ndryshimet më të fundit në sektorin e teknologjisë dhe pajisejve mjekësore në vendin tonë dhe konkretisht, risitë që solli Ligji i ri për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore.
“Vetëm gjatë vitit të fundit, si pacientët, ashtu edhe ofruesit e shërbimeve shëndetësore, kanë pasur lehtësira financiare, që u mundësuan falë heqjes së TVSH-së prej 20% për pajisjet mjekësore të implantueshme. Nga ana tjetër, miratimi i ligjit të ri, por edhe regjimi i ri që vendosëm për mirëmbajtjen sipas modelit full-risk të teknologjisë mjekësore në shërbimin publik të kujdesit shëndetësor, sollën edhe një zhvillim të tregut të pajisjeve mjekësore në Shqipëri,” theksoi kreu i shëndetësisë.
Gjatë takimit, ai vuri ne dukje edhe zhvillimet që kanë pësuar sektorët e tjerë të sistemit të kujdesit shëndetësor, duke u ndalur tek investimet e reja dhe fuqiziminin e kapaciteteve të teknologjisë mjekësore, që mundësuan edhe ndërhyrjet e rralla në shërbimet e Neurokirurgjisë apo edhe Kardiologjisë, të cilat u realizuan për herë të parë në vendin tonë.
Po ashtu, Beqaj solli në vëmendjen e bashkëbiseduesit edhe investimet që janë bërë së fundi në urgjencën kardiake dhe atë vaskulare-cerebrale, ku pacientëve iu ofrohet tashmë shërbim shëndetësor 24/7, duke siguruar kështu kushtet për ofrimin e një shërbimi jetëshpëtues për qytetarët, dhe duke ulur ndjeshëm barrën e invaliditetit.
Sipas Beqajt, shërbimi shëndetësor pritet të përmirësohet ndjeshëm edhe falë bashkëpunimit nëpërmjet modelit të partneritetetit publik-privat, çka do të sjellë edhe një shërbim më të shpejtë e më cilësor për qytetarët.
“Medtronics” është kompania më e madhe e pavarur e zhvillimit të teknologjisë mjekësore në botë, duke zotëruar më tepër se 53,000 patenta pajisjesh mjekësore. Me qendër operacionale në SHBA, “Medtronics” operon në më shumë se 140 shtete, me më shumë se 80,000 punonjës.