Gjykata e Korçës ka lënë të lirë, Esmeraldo Kacollin, i cili mesnatën e 13 majit, u përfshi në një konflikt me kryetarin e bashkisë së Kolonjës Erion Isai, duke e goditur këtë të fundit me grusht.
Kacolli do të hetohet në gjendje të lirë pasi nuk paraqet rrezikshmëri të lartë. Ndaj tij është regjistruar procedimi penal për veprën “Goditje për shkak të detyrës”. Ndërsa është vënë nën hetim edhe Xhemal Kalo nën akuzën e pengimit të qarkullimit të mjeteve.
Ngjarja ndodhi natën e heshtjes zgjedhore në afërsi të fshatit Qinam mes simpatizantëve të Bashkë Fitojmë dhe Erion Isait dhe stafit të tij. Isai denoncoi ngjarjen mëngjesin e së dielës kur në vend mbaheshin zgjedhjet vendore. Ai tha se Kacolli së bashku me disa simpatizantë të Bashkë Fitojmë i kishin prerë rrugën dhe më pas e kishin nxjerrë nga automjeti duke e goditur.
Nga ana tjetër, kandidati i Bashkë Fitojmë në bashkinë e Kolonjës, Et’hem Lumani mohoi që diçka e tillë të ketë ndodhur nën praninë e tij dhe tha se ai kishte mbërritur në kohë për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit. Sipas tij, Isai kishte thyer heshtjen zgjedhore duke bërë fushatë së bashku me anëtarë të stafit të tij dhe për pasojë disa të rinj e kishin ndaluar dhe ishin konfliktuar me të.
/s.f