Debati për dekriminalizmin ka shmangur vëmendjen nga një tjetër çështje e nxehtë, ajo për miratimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Teksa pritet opinioni përfundimtar i Venecias për Reformën në Drejtësi, konferenca e kryetarëve nuk përfshiu në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, ligjin e qeverisë për strukturën, e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta zyrtarësh.
Partia Demokratike ka bërë të qartë qëndrimin e saj se do të votojë Byronë e Hetimit, me të vetmin kusht të panegociueshëm që ligji të pasqyrojë rekomandimin e Komisionit të Venecias, e me sa duket shumica po pret këtë të fundit për t’u shprehur. Brenda kësaj jave Komisioni i Venecias do të publikojë dokumentin paraprak sa i përket Reformës në Drejtësi në vendin tonë, kurse më 11 Mars do të publikohet raporti i plotë.