Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania se populli tashmë e di rezultatin e zgjedhjeve.
Sipas tij, niveli i votuesve kaq i ulët deri në orët e para të mëngjesit, është tregues i një bojkotimi masiv nga qytetarët për të votuar në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Interesimi i emigrantëve është zero përveç rikthimit të disa emigrantëve që po kthen Greqia në Himarë ose disa të tjerë në jugun e Shqipërisë. Përveç Greqisë në asnjë vend tjetër të Europës nuk ka shqiptarë të cilët kthehen apo udhëtojnë për të votuar sot.
E dyta, në zgjedhjet në të cilat dihet rezultati, interesimi është gjithmonë i vogël. Mendoj që këto janë zgjedhjet më të parashikueshme që kanë ndodhur në 33-vite.
Pothuajse në 90 për qind të bashkive, pjesa më e madhe e popullit e di rezultatin dhe atje ku dihet rezultati nuk ka garë, nuk ka interesim, nuk ka tifozllëk, nuk ka pjesëmarrje dhe ka indiferencë, sepse njerëzit mendojnë që vota e tyre nuk ndryshon asgjë,” – u shpreh Spahiu.
Kujtojmë se rezultati i votimit me teknologjinë e numërimit elektronik do të dalë brenda mesnatës vetëm në tre bashki, në atë të Vorës, Kamzës dhe Elbasanit./m.j