Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi, ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme në lidhje me akuzat e tij, se një biznesmen i njohur, duke shkelur heshtjen zgjedhore, po tenton të blejë vota në Kuçovë.
Ai ka publikuar një foto ku duket ai vetë së bashku me mbështetës të tij, ndërsa përbri shkruan se, qytetarët e Kuçovës janë bashkuar për të ndaluar çdo lloj tentative të grupeve kriminale për blerje votash.
“Qytetarët e Kuçovës janë bashkuar sonte dhe po patrullojnë gjithë qytetin për të ndaluar çdo tentativë të grupeve kriminale të kryesuar nga oligarku Pëllumb Salillari për blerje votash. Qytetarët po ju përgjojnë nga Lumasi në Kozare, nga Perondia dhe Tapia, në të gjitha lagjet e qytetit. I them Kreshnik Salillarit se nuk do tërhiqemi! Nga pas si hije na keni! Nuk ja merrni dot dinjitetin dhe fitoren qytetarëve që u keni pirë gjakun duke i varfëruar çdo ditë e më shumë! Nesër vetëm fitore plebishitare. Kuçova kantier ndërtimi! Kuçova në punë! Kuçova fiton! Votoni të lirë! Mos u trembni nga kufoma politike dhe fatorino Salillari! Nesër do i tregojmë vendin!”, shkruan në reagimin e tij Lefter Maliqi.
/s.f