Ministrja e Integrimit tha sot se është një numër i madh sirianësh që presin të hyjnë në Shqipëri. Sipas Klajda Gjoshës, qeveria shqiptare do të jetë e gatshme që t’i krijojë kushtet për t’i pritur shtetasit nga Siria.
Duke folur për gazetarët, Gjosha tha se vendi ynë nuk do të krijojë mure ndaj refugjatëve që do të hyjnë në Shqipëri.
“Për mendimin tim, qeveria do të jetë e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme duke mos ndërtuar asnjë mur kundrejt këtyre refugjatëve, që kërkojnë të hyjnë në vendin tonë. Ajo që është e rëndësishme, është që të ketë një bashkëpunim shumë të madh me të gjithë vendet fqinje, dhe në këtë rast me Greqinë por edhe me vendet anëtare të Bashkimit Europian. Dua të theksoj sërish që të gjithë ata persona që presin të hyjnë në Shqipëri është mirë që të kenë një regjistrim të posaçëm dhe të identifikohen, kjo për arsye sigurie të vendit.” – tha ministrja Gjosha.