Fredi Beleri, kandidat i koalicionit të Berishës e Metës për bashkinë e Himarës, i cili u arrestua një ditë më parë për blerje votash, pritet që të dalë sot para gjykatës në Vlorë. Prokuroria e Vlorës ka kërkuar ‘arrest me burg’ për Fredi Belerin dhe Pandeli Kakoveshin. Ndërkohë burime për Report Tv bëjnë me dije se dy të arrestuarit kanë pretenduar se nuk janë ndjerë mirë nga ana shëndetësore.
Pak para se në gjykatën e Vlorës të mbahet seanca për masën e sigurimit personal ndaj tij, mësohet se Fredi Beleri, ka kërkuar mjekë në paraburgim, pasi ka pretenduar se nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore. Burimet thonë se Beleri ka pretenduar se është me diabet (duke përmendur edhe disa sëmundje të tjera), dhe kërkon mjekët që të vlerësojnë nëse duhet të qëndrojë në qeli apo në spital.
Ndërsa Pandeli Kakoveshi, miku i Fredi Belerit, i arrestuar po ashtu për blerje votash, është shtruar në spital te QSUT në Tiranë, pasi ka pretenduar se ka probleme shëndetësore, duke përmendur (thonë burime nga prokuroria) se ka bërë një ndërhyrje në zemër, Bypass (edhe pse burimet shtojnë se kjo ndërhyrje është shumë e vjetër, se është bërë vite më parë). Pritet që masa e sigurimit personal ndaj tij të bëhet në ambientet e spitalit të QSUT.
Burime thonë se e pranishme do të jetë edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi.
Pazaret për blerjen e votave çuan në pranga kandidatin e koalicionit Berisha- Meta për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri një ditë më parë (12 maj) . Ai u arrestua bashkë me truprojën e tij Panajot Kokoveshi, pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për votat e 8 personave. Kartmonedhat u sekuestruan ndërsa pas arrestimit, disa qytetarë nga Himara thanë se Beleri u ka ofruar deri në 10 mijë lekë për votë, por ato nuk i kanë marrë.
/a.r