Pavarësisht vështirësive, kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj është i kënaqur me fushatën elektorale që ka zhvilluar forca që ai drejton për zgjedhjet e 14 majit.
“Për hir të së vërtetës nuk është nga fushatat më komode që kjo parti ka zhvilluar. Për shumë arsye. Arsye të cilat ne të gjithë i dimë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që Partia Demokratike në vitin e fundit ka kaluar ndoshta periudhën më të vështirë të saj. E megjithatë, ne ia dolëm përgjatë këtij muaji të linim pas vështirësitë dhe të zhvillonim një fushatë dinjitoze dhe kurajoze, edhe pse pengesat që kishim gjatë rrugës tonë ishin të shumta”.
Nga Tirana ku edhe mbylli siparin e takimeve elektorale, ai akuzoi së pari kryeministrin Edi Rama se është bërë pengesa kryesore për një fushatë elektorale më të mirë.
“Pengesa të cilat na kanë ardhur nga regjimi mafioz i Edi Ramës, i cili nëpërmjet makinerisë shtetërore dhe institucioneve që ka në zotërim ka bërë të pamundurën për t’ia vështirësuar garën elektorale Partisë Demokratike”.
Nuk i kurseu akuzat as ndaj drejtuesve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të cilët sipas tij po përdorin demokratët për hallet e tyre personale
“Pengesa po ashtu nga kanë ardhur nga Sali Berisha, person i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e madhe, i cili ka bërë çdo përpjekje që Partinë Demokratike perëndimore dhe euroatalantike ta gllabëronte dhe ta përdorte si mburojë për hallet e tij personale, si dhe nga një trafikant politik si Ilir Meta, i cili kërkon që votat e djathtës shqiptare t’i marrë e t’i përdorë për trafikun e tij të radhës politik.
Por pavarësisht këtyre vështirësive Alibeaj u shpreh i sigurt se Partia Demokratike nga ky proces do të dalë më e fortë.
“Por megjithëse trekëndëshi i se keqes u mundua me të gjitha mjetet, mediatike, financiare dhe kriminale për të ndaluar në rrugën e saj Partinë Demokratike, ne nuk u stepëm aspak dhe nuk dekurajuam për asnjë moment. Përkundrazi! Të gjitha këto vështirësi do të na nxjerrin pas 14 majit më të fortë dhe më të qartë. Të gjitha këto vështirësi na bëjnë të bindemi edhe më shumë seç kemi qenë deri më sot, se në jemi në rrugën tonë të drejtë”.
Ai u bëri dhe një herë thirrje të gjithë demokratëve në të gjithë Shqipërinë, që të dalin masivisht të votojnë në datën 14 maj numrin 9, Partinë Demokratike të Shqipërisë, dhe të gjithë kandidatët saj për kryetar bashkie.
/a.r