Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mbylli fushatën në qytetin e Elbasanit këtë të Premte. Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij tha se fushata e Ramës u zhvillua me tallje ndaj qytetarëve. Ai theksoi se Rama e nisi fushatën me tritol dhe e mbylli me arrestime.
“Këto dy ditë le të ftojmë bashkë çdo qytetare dhe qytetar të Elbasanit, çdo qytetar shqiptar. Le të reflektojmë për gjendjen tonë ekonomike, të mendojmë se sa herë në dyqanet tona rëndohemi nga çmimet gjithnjë e në rritje. Të mendojmë për listat e gjata, që zgjaten e zgjaten e bëhen tërkurzë, sepse shumë nga bashkëqytetarët tanë nuk kanë me se të paguajnë ushqimin e përditshëm. Të mendojmë se si i përcjellim fëmijët në shkollë dhe nuk i plotësojmë nevojat e tyre.
Të gjitha këto kanë ardhur sepse prej shumë vitesh, Elbasani dhe Shqipëria qeverisen nga i njëjti regjim dhe është kaluar nga mandati në mandat, nga shiu në breshër. Ndaj dhe ju ftoj të votoni ndryshimin me 14 maj dhe mos harroni, se të gjithë sa thashë më sipër, Edi Rama në këtë fushatë i mbuloi me tallje për qytetarët, me sharje për kundërshtarët, me tallava për gaztorët. I mbuloi me mashtrime si zakonisht.
Ai e nisi këtë fushatë, siç jeni dëshmitar me tritol, e mbylli me turp, me arrestime. Vazhdojnë me një seri mashtrimesh. A nuk premtoi ai rritjen e rrogave, rrogës mesatare në 900 euro. A nuk tallet ai në këtë mënyrë me qytetarët shqiptarë të cilët përballen me skamjen dhe varfërinë. Çfarë ndihme marrin shqiptarët sot nga kjo qeveri, kur vetëm 20% e tyre përfitojnë ndihmën ekonomike.
Le t’i shndërrojmë këto 48 orë në 48 orë të reflektimit tonë, dhe le të ndalemi pastaj dhe të mendojmë për njerëzit që janë larguar nga familjet tona, nga farefisi, nga krushqitë, njerëz tanë të dashur. Shumica e tyre janë larguar nga mospasja, papunësia, pamundësia, nga dhunimet e lirive dhe të drejtave të tyre. Ju vetë e keni të qartë se si dhjetëra e mijëra shqiptarë u arrestuan për faturat e dritave si në asnjë vend tjetër.”
/s.f