Kreu i Policisë i Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha se veprimet e policisë sa i takon arrestimit të Fredi Belerit, janë të autorizuara nga prokurori i çështjes në fjalë. Rrumbullaku shtoi se si drejtues i policisë e ka të ndaluar të japë shpjegime mbi faktet dhe provat mbi këtë rast.
“Në lidhje me rastin kemi pasur një deklaratë nga drejtuesi i prokurorisë së Vlorës. Çështje që lidhen me hetimin dhe çështjet e tjera është në tagrin e prokurorit për të adresuar dhe për të dhënë shpjegime të mëtejshme. Unë e kam të ndaluar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për të dhënë shpjegime mbi faktet dhe provat”.
“Por ju siguroj që të gjitha veprimet e policisë në lidhje me rastin janë veprime të autorizuara nga prokurori në kushtet e realizimit të një fakti kriminal, për të cilën autorizimet e marra nga prokurori dhe kur vërtetohet konsumimi i veprave penale të tilla, Policia e Shtetit është e detyruar që të ndërhyjë.”
Deklaratën Rrumbullaku e bëri teksa u pyet nga gazetarët mbi rolin e policisë në arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri. Ky i fundit u ndalua pak pas mesnatës së kësaj të premteje, për akuzën e shit-blerjes së votave.
/s.f