Kryeministri Edi Rama mbylli këtë të premte fushatën në Shkodër, ku Partia Socialiste garon me Benet Becin më 14 Maj.
“Duam që Shkodra të futet në makinën e madhe ku janë motorët e ekonomisë”, tha Rama.
Sipas Ramës, Shkodra është qyteti që ka humbur më shumë nga të gjithë bashkitë e tjera.
“Askujt tjetër Zoti nuk i ka dhënë si qytet apo si Bashki ato që i ka dhënë Shkodrës, askujt. Puna është te bravoja e atyre që nuk e kanë lënë këtë dhuratë të Zotit që të kthehet në mirësi për gjithë këta njerëz qofshin të majtë, qofshin të djathtë, qofshin si të duan. Zoti askujt nuk i ka dhënë lumë, liqen, det, mal dhe Alpet mbi kokë. Askujt”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti tha se në Shkodër, vota ka shkuar në mënyrë të vazhdueshme gabimisht.
“Këtu nuk funksionon vota, ka shkuar vota në mënyrë të vazhdueshme në drejtimin e gabuar, nuk është ndërruar kurrë. Dhe duke i thënë përmes votës atyre të tjerëve ju bëni ça të doni, ata janë sjellë gjithmonë e më keq dhe kanë punuar gjithnjë e më pak për njerëzit e kësaj bashkie”, u shpreh Rama.
Rama tha se Shkodra është bashkia më e ndotur e Shqipërisë. Në fund, sipas kryeministrit, pasojat i vuajnë qytetarët, në një qytet sipas tij, që Zoti e ka bërë për të qenë një nga motorët ekonomikë më të fuqishëm të këtij vendi.
“Që kur vij unë këtu flas për këtë dhe kjo histori vazhdon. Kush paguan këtu, nuk paguan PS-ja. Nuk jemi ne që paguajmë, por është Shkodra që paguan, dhe duke paguar Shkodra paguan një kosto të madhe Shqipëria sepse këtë zonë këtu e ka bërë Zoti për të qenë një nga motorët ekonomikë më të fuqishëm të këtij vendi”, tha Rama.
Një thirrje e pati edhe për votuesit e djathtë, që kësaj here të provojnë një gjë tjetër në krye të bashkisë.
“Ore njeriu e provon mo vëlla. Ore duan me vdek pa provuar njëherë një gjë tjetër? Ore njeriu e provon. Ç’është kjo? S’e kuptoj. E provojmë. Çfarë nuk provuam në këtë demokraci apo jo, çfarë nuk provuam në këtë liri? Po mos me provu njëherë me marrë në punë një tjetër, ku ai që ke në punë ta bën keq e më keq, kjo është kulmi”, u shpreh Rama./m.j