Pavarësisht sfidave dhe vështirësive në punën e tyre, largimi i infermierëve jashtë vendit është kthyer në një gangrenë për sistemin shëndetësor. Sipas kreut të Shoqatës së Infermierëve, në 3 vitet e fundit janë larguar rreth 16 mijë infermierë drejt Europës.
“Që në kohën e pandemisë deri më sot mund të jenë larguar mbi 16 mijë infermierë, pasi koha e pandemisë ka qenë shfrytëzuar nga të gjithë duke ndjekur kurset e gjuhës online. Gjermania vazhdon të mbajë vendin e parë, e cila tërheq infermierët nga Shqipëria, pasi ka lehtësuar të gjitha procedurat e licencimit, bashkimit familjar etj. Por edhe Italia së fundmi dhe vende të tjera si Austria, Anglia, edhe vendet e tjera arabe, që po kërkojnë së fundmi”, thotë Elson Jaçaj.
Paga dhe mosvlerësimi i figurës së bluzave të bardha janë disa nga arsyet e largimit të tyre drejt shteteve të tjera.
“Dhe një vlerësim prej 7 përqind e pagës, e cila përsëri do tatohet dhe duke parë rritjen e çmimeve dhe ekonominë që rritet dhe një rritje page e tillë do të thotë është shumë e papërfillshme. Së fundmi është edhe mosvlerësimi i figurës dhe punës së tyre”, shton kreu i Shoqatës së Infermierëve, Jaçaj.
Ndërsa vetë profesionistët e rinj shprehen se nëse do të vlerësohen financiarisht, por edhe në aspekte të tjera profesionale, padyshim që do vazhdonin të investonin në Shqipëri.
“Patjetër që kërkojmë mbështetjen dhe qëndrimin në vendin tonë, por çdo profesionist zgjedh më të mirë për eksperiencën e vet, për të ardhmen, për një profesion aty ku vlerësohet me të vërtetë. Dhe gjëja më e rëndësishme është vlerësimi. Nëse sot një infermier, një profesionit i mjekësisë vlerësohet, ai dhe të gjithë do investojnë në vendin e vet”, thotë Studim Hysa, infermier.
“Ne për momentin kemi zgjedhur ta ushtrojmë në vendin tonë, kjo nuk do të thotë që në një të ardhme, mbase jemi ndër ata që jemi larguar ose jo”, shprehet Erald Çoçka, gjithashtu me profesion infermier.
Në Ditën Botërore të Infermierëve, një pjesë e të rinjve zgjodhën të ishin sa më pranë qytetarëve duke kryer disa kontrolle shëndetësore baze falas në kryeqytet.
/s.f