Një vaksinë mRNA e përshtatur për çdo pacient individual ka dhënë rezultate premtuese në trajtimin e një forme agresive të kancerit të pankreasit, në një studim të vogël paraprak që hap shpresa të reja për trajtimet e ardhshme për këtë sëmundje.
Në provën e fazës 1, gjysma e pacientëve që morën vaksinën nuk kishin përsëritje të kancerit për të gjithë kohëzgjatjen e studimit që ishte 18 muaj, një shifër që konsiderohet shumë pozitive, duke pasur parasysh probabilitetin e lartë me të cilin ky tumor rikthehet zakonisht. Zbulimi u publikua në “Nature”, ndërsa në studim u përfshinë 16 pacientë që iu nënshtruan një operacioni për të hequr “adenokarcinomën duktale”, forma më e zakonshme e kancerit të pankreasit.
Mjekët e Qendrës së Kancerit Memorial Sloan Kettering në Nju Jork nxorën disa mostra të qelizave kancerogjene nga secila dhe i dërguan në Gjermani në laboratorët e BioNTech, kompania e bioteknologjisë që së bashku me Pfizer krijuan vaksinat mRNA për Covid.
Shkencëtarët kanë analizuar karakteristikat gjenetike të proteinave specifike që gjenden në sipërfaqen e qelizave të sëmura dhe kanë prodhuar vaksina të “përshtatura” të mRNA, pra të përshtatura me profilin e tumorit të çdo pacienti, për të mësuar qelizat imune të çdo personi që luftojnë tumorin.
MRNA i dha trupit të pacientit udhëzimet për të prodhuar të njëjtat proteina të pranishme në sipërfaqen e qelizave tumorale dhe për t’i ushqyer ato në sistemin imunitar, i cili i njohu ato si të huaja dhe u përgatit për t’i eliminuar ato. Mekanizmi është i ngjashëm me atë të përdorur për të armatosur trupin tonë kundër SARS-CoV-2.
Studimi është ende në fazat e tij të hershme dhe përfshiu një numër shumë të vogël vullnetarësh, 16 pacientë të gjithë me origjinë kaukaziane, të cilët morën vaksinën si pjesë e një trajtimi më të madh, i cili përfshinte kimioterapinë dhe një ilaç që parandalon tumoret të shpëtojnë nga sistemi imunitetar.
Tetë nga 16 pacientët kishin aktivizim të lartë të një lloji limfociti, qelizave T dhe 18 muaj pas operacionit, asnjëri prej tyre nuk tregoi shenja të përparimit të tumorit. Në grupin që nuk iu përgjigj vaksinës, kanceri u kthye në një kohë mesatare prej 13.4 muajsh pas operacionit.
Zbulimi, i cili do të duhet të hetohet dhe të konfirmohet në një numër shumë më të madh njerëzish, është i rëndësishëm sepse ky lloj kanceri pankreatik nuk i përgjigjet mirë imunoterapive që drejtojnë qelizat imune kundër antigjeneve (proteinave specifike) në qelizat e tumorit, dhe sepse deri më tani është menduar gjithmonë se adenokarcinoma duktale ka pak proteina specifike për t’u përdorur si objektiva eventuale në vaksinat e personalizuara.
Megjithatë, vaksina e personalizuar e cila u zhvillua në vetëm 9 javë pas ndërhyrjes është jashtëzakonisht e shtrenjtë. Kushton pak më pak se 100,000 dollarë, mbi 91,500 euro për dozë, një çmim që do të krijonte pabarazi të patolerueshme në qasjen ndaj kurave.
/a.r