Kur na ndajnë edhe dy ditë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, një incident është regjistruar në Maliq. Deputeti demokrat Edmond Spaho ka denoncuar stafin e Bashkisë që i ka hedhur telefonin nga dora, teksa ishte duke filmuar, sipas tij një aktivitet të paligjshëm. Sipas Spahos, Gëzim Topçiu kishte mbledhur të gjithë traktoristët për t’iu kërkuar votat me motivin se do t’ju bënte regjistrimin e targave.
“Në fushën e sportit të Vreshtasit janë lajmëruar të mblidhen gjithë traktoristët e Bashkisë Maliq me gjoja regjistrimin që do t’ju bëhet për t’u bërë targat. Të gjithë traktorët u mblodhën këtu, i mblodhi Gëzim Topçiu dhe u kërkoi të votojnë për të. Ky është një aktivitet që s’ka lidhje fare me bashkinë as me deputetin Ilir Pendavinji apo kryetarët NJ. AD. Është një aktivitet i palejuar që zhvillohet në kuadër të fushatës elektorale. Unë e regjistrova edhe kryetarin e bashkisë dhe deputetin dhe më sulën nga mbrapa gjithë stafin e bashkisë për të më ofenduar, më rrëzuan telefonin nga dora që po filmoja dhe më akuzonin se po fus përçarje mes njerëzve, kur në unë dokumentova një aktivitet të paligjshëm elektoral që bën gënjeshtari Gëzim Topçiu sepse në fund u tha që të hënën do të filllojnë regjistrimet. Nuk i takon bashkisë të merret me këtë punë, i takon Drejtorisë së Transportit.”
Spaho njofton gjithashtu se ka kapur edhe kryebashkiakun e njësisë Administrative në Vreshtas, duke blerë vota.
“Janë mësuar të vjedhin votat, edhe në 2021 kryetarin e Njësisë Administrative Vreshtas e kam kapur duke blerë vota në Podgorie. Këta kërkojnë të mashtrojnë qytetarët, fermerët , traktoristët. Konflikti u shmang por stafi i Topçiut më erdhën nga mbrapa duke më intimiduar dhe ofenduar”, shprehet Spaho.
Për këtë ka reaguar edhe kryebashkiaku dhe kandidati socialist për Bashkinn e Maliqit Gëzim Topçiu. Në një deklaratë ai tha se nuk u fol për vota, por vetëm për zgjidhjen e problemit të targave. Topçiu e quan absurde ndërhyrjen e deputetit Spaho.
“Nuk e quaj tension sepse është absurde që një deputet i parlamentit shqiptar të hyjë në një vend ku ne po punojmë me njerëzit. Është një moment ku ne fushat elektorale kemi një problem me traktoristet që prej kohësh kërkojnë t’u regjistrojnë mjetet dhe morëm shkas që zv.ministrja, drejtori i përgjithshëm i Transporteve Rrugore do të regjistrojë mjetet me probleme me dokumentacionin, ishte një apel për gjithë që të bëjë një deklarim për atë çka atë kanë probleme. Nuk u fol për vota, vota është e fshehtë secili mund të votojë për ke te doje dhe kemi ndërhyrje si mund të ketë parlamenti deputet të tillë. Kemi bërë njoftim gjithë njësive administrative që ata që kanë probleme me mjetet traktoriste, i njoftuam të bëjnë vet deklarim çfarë ka mjeti i tyre dhe kaq”.
Ai bëri thirrje për qetësi: “Nuk i kam qejf incidentet nuk jam pjesë e tyre. U bëj thirrje të gjithëve të jenë të qetë. Nuk më erdhi mirë kur njerëzit e morën mbrapsht deputetin në mes të sheshit, nuk shkon në Shqipëri, u bëj thirrje për qetësi, le të votojnë për njeriun që punon”.
/a.r