“Ky është mitingu më i madh që është bërë në Sukth dhe dua t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj dhe mbështetjen që më keni dhënë”. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin me banorë të njësisë administrative Sukth. Kryebashkiakja Sako në këtë takim tha se në këtë zonë janë bërë investime të shumta në arsim, ujësjellës, infrastrkturë rrugore, por të tjera investime të mëdha do të kryhen gjatë mandatit të ardhshëm. Duke folur më tej para banorëve, kryebashkiakja Sako tha se në këtë njësi kemi ndërtuar 5 shkolla e kopshte të reja, ndërkohë që Sukthi ka sot furnizim 24 orë me ujë.
Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë Emiriana Sako tha se këtu, në këtë njësi administrative, kemi pasur një fushë të hapur të mbetjeve urbane, në Vadardhë. Tani ajo është mbyllur dhe të gjitha mbetjet urbane i dërgojmë në landfillin e Sharrës në Tiranë.
Gjatë mandatit të ardhshëm, në këtë njësi administrative do të punohet për rehabilitimin e terreneve sportive si dhe ndihmë konkrete për fermerët, me anë të mbështetjes me skema subvencionimi dhe ngritjen e një pike agro-përpunuese dhe depozitimi për produktet e tyre. Kryebashkiakja Sako theksoi se brenda vitit të ardhshëm do të përfundojnë të gjitha shtëpitë dhe apartamentet që po ndërtohen me anë të programit të rindërtimit si dhe shkolla e re në Vadardhë. Mbështetje do të jepet edhe për zhvillimin e turizmit, në bregdetin që është pjesë e kësaj njësie administrative për t’u shërbyer pushuesve të shumtë që frekuentojnë plazhin në Hamallaj./m.j