Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij përmbyllëse të fushatës së gjelbër në Tiranë tha se qytetaret do ta votojnë Lali Erin për kryetar Bashkie, sepse ka treguar në dy mandate rresht se nuk e drejton Tiranën duke anuar majtas dhe duke kthyer kurrizin djathtas. Rama tha se kandidati i PS-së, Erion Veliaj bo fitojë me diferencën më të thellë të 3 mandateve të tij.
“Unë dua t’ju them banorëve të Tiranës që do votojnë, që sot është shumë e rëndësishme që ata të kenë parasysh se vota e 14 majtit nuk është vetëm një votë për kryetarin e bashkisë, apo se cili është njeriu që do marrim në punë për të na shërbyer 4 vitet e ardhshme. Kjo është shumë e rëndësishme, por vota e 14 majit është po kaq e rëndësishme për të vendosur si do jetë e nesërmja e vendit tonë në raport me vetveten dhe me partnerët tanë. Në raport me të ardhmen tonë, që dihet, është një shtet i barabartë mes të barabartëve në familjen bashkuar europiane. Vota e 14 majit është më shumë një test karakteri për zgjedhësit e djathtë, se sa një test fitoreje për zgjedhësit e majtë. Ne, Partia Socialiste, testin e fitores jemi të bindur që e kapërcejmë pa ndihmën e të tjerëve, vetë dhe në 14 maj Lali Eri do bëhet përsëri kryetari ynë i bashkisë me diferencën më të thellë të 3 mandateve të tij. Por kjo nuk mjafton, kjo mjafton për lali Erin, për PS-në, por jo për Tiranën dhe Shqipërinë. Për Tiranën dhe Shqipërinë ka rëndësi testi i karakterit të zgjedhësve që janë të rreshtuar djathtas. Ata që thonë se ne kurrë nuk votojnë majtas. Nuk iu bëj thirrje atyre që të bashkohen me PS-në, apo të votojnë PS-në. Edhe pse mirë do ishte që atë që ata kanë si qytetarë të Tiranës në raport me Bashkinë, me shërbimet, me fëmijët dhe me të tjerët ta votojnë Lali Erin. Do të ishte mirë për ta bërë këtë jo për një kandidat që është kandidati i Partisë Socialiste për një kryetar bashkie i cili e ka treguar në dy mandate rresht se nuk e drejton Tiranën duke anuar majtas dhe duke kthyer kurrizin djathtas, por edhe sikur kjo të jetë e tepërt dhe ata të thonë: Jo, harroje! Lali Fikun nuk e votojmë. Dakord, mos e votoni! Problemi është çfarë do bëni në 14 maj, sepse në 14 maj përtej bashkive, kandidatëve për kryetarë bashkish, përtej garës për Këshillat Bashkiakë e Partisë Socialiste dhe partive të tjera është në test karakteri i shqiptarëve në raport me flamurin e tyre”, theksoi Rama.
Ai shtoi se sot Tirana eshte shumë herë me e madhe dhe që do rritet akoma më shumë.
“Ajo që dua të shtoj është fakti se Tirana sot nuk është më Tirana që kam drejtuar unë, është shumë më e madhe. Nuk është më vetëm qyteti i rrethuar nga komunat në vijën e vjetër të tij. Tirana mbaronte te Astiri, në Kinostudio, aty ku sot mbaron Bulevardi i Ri, mbaronte këtu ku jemi ne. Më mbrapa nuk ishte Tirana, ishte Farka. Sot shtrihet deri në Ndroq, Zallbastar, deri lart në Dajt. Potencialet e kësaj Tiranë janë ende për t’u zbuluar dhe për t’u vënë në dispozicion të një rritjeje ekonomike, që të jeni të bindur në 4 vitet e ardhshme do jetë shumë më e madhe për banorët e kryeqytetit, qoftë për ata që banojnë në qendër, apo qoftë për ne katunarët që banojmë në periferi. Si banor periferie ju them që ky kryeqytet sot, nuk është më kryeqyteti që ishte. Një qytet në fillim komplet i varrosur nën paligjshmërinë dhe pluhurin e një rrëmuje të paparë që u quajt kapitalizmi demokratik, as kryeqyteti që filloi të dilte nga ajo situatë dhe filloi të ectë përpara. Ky është kryeqyteti i krenarisë tonë kombëtare”, nënvizoi Rama./m.j