Dhe 3 ditë kanë mbetur nga fushata zgjedhore dhe kandidatët kanë intensifikuar takimet me qytetarët me qëllim prezantimin e programeve të tyre elektorale, për t’i bindur qytetarët që t’u japin votën në 14 maj. Kandidatja socialiste Emirjana Sako kërkoi votën e durrsakëve me qëllim përmbylljen e projekteve madhore në qytetin bregdetar.
Pashk Gjoni i cili kërkon të fitojë bashkinë e Lezhës akuzoi kreun aktual Pjerin Ndreu se po përpiqet të tjetërsojë votat. Admir Sinamati gjatë takimit elektoral me qytetarë të Kukësit, akuzoi Safet Gjicin se po blen vota. Bardh Spahia kërkoi votën e shkodranëve më 14 maj duke shpalosur planin 4-vjeçar, sipas tij të hartuar nga ekspertë të fushave të ndryshme.
Kandidati socialist Sotiraq Filo prezantoi projektin “Poli i Jugut” në një takim ku merrte pjesë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca. I shoqëruar nga deputeti Saimir Korreshi, kandidati për bashkinë e Lushnjës Eduart Sharka u premtoi banorëve zgjidhje për problemet në sektorin e bujqësisë. Kandidati socialist Josif Gorrea shpalosi planin e tij për bujqësinë gjatë takimit me banorët e Terbufit.
Zotimi i radhës i kandidatit të koalicionit Meta-Berisha, Evdar kodheli, për Fierin u fokusua në fushën e sportit dhe mirëqënies sociale. Nga Malësia e Madhe, Isa Ramaj, i koalicionit Meta-Berisha, akuzoi maxhorancën për keqpërdorim të pushtetit ndërsa premtoi zhvillim të ekonomisë së vendit.