Autoblindat dhe tanket kanë zbarkuar në kryeqytetin e Rusisë. Nuk janë përgatitje për luftë, por për festë. “Pobjeda”, në shqip “Fitore”, lexohet në mbishkrimin në yllin komunist të vendosur në Moskë për të shënuar 9 Majin, fitoren sovjetike të ushtrisë së kuqe mbi Gjermaninë naziste në vitin 1945.
Për presidentin rus, Vladimir Putin, ky është eventi më i rëndësishëm i të gjithë vitit, por do ta ketë tepër të vështirë të dalë përballë një publiku që pret zgjidhje lidhur me luftën në Ukrainë, fundi i së cilës ende nuk duhet afër.
Autoritetet atje përdorën dhe incidentin me dronë mbi Kremlin për të njoftuar se eventi dhe parada ushtarake për “Ditën e Fitores” do të zhvillohen në një shkallë më të reduktuar për arsye sigurie. Megjithatë interesi i qytetarëve nuk është i vogël në atë që e përqafojnë me shumë krenari duke thënë: Është histori jonë.
Të shumtë në numër u janë drejtuar mjeteve të rënda të luftës, por edhe duke shkrepur fotografi në yllin sovjetik në Sheshin e Kuq të Moskës. Një nga ngjarjet më të njohura të 9 majit, marshimi i Regjimentit të Pavdekshëm – një procesion solemn i njerëzve me portrete të të afërmve të tyre veteranë të Luftës së Dytë Botërore – është anuluar gjithashtu këtë vit.
Një shpjegim për një lëvizje të tillë është se autoritetet shqetësohen se procesioni mund të përfundojë duke vënë në pah numrin real të humbjeve ruse në Ukrainë, me të afërmit që mund të sjellin portretet e të vrarëve në luftën aktuale. Presidenti Putin, ashtu si vitin e kaluar, ka të ngjarë të tërheqë paralele historike midis dy luftërave, duke e inkuadruar në mënyrë të rreme Ukrainën si pasuese të Gjermanisë naziste.