Policia londineze arrestoi 52 persona ditën e kurorëzimit të mbretit Charles i Tretë.
Policia metropolitane deklaroi se kishte qenë “privilegji i saj i madh” për të garantuar sigurinë e asaj dite, përpara se të njoftonte numrin e të arrestuarve në kryeqytet.
Në total, 14 persona u arrestuan tek shëtitorja “The Mall”, 13 prej të cilëve po protestonin, ndërsa njëri nën dyshimin se posedonte drogë dhe armë të ftohta.
14 të tjerë u arrestuan ndërkohë në Lindje të Londrës nën dyshimin se komplotonin për të shkaktuar pasiguri publike.
Gjashtë të tjerë ranë në pranga në Uajt Holl, pesë prej të cilëve nën dyshimin e organizimit të trazirave dhe tjetri për sjellje të pahijshme.
Për akuza të ngjashme u arrestuan edhe personat e tjerë, në zonat Seint Martins Llejn, Soho, Uellington Arç, e të tjera.
Disa prej të dyshuarve, të pajisur me parulla kundër mbretërisë, synonin të prishnin rendin publik, deklaruan autoritetet policore londineze.
Sidoqoftë, ceremonia e kurorëzimit e mbretit Charles i Tretë dhe mbretëreshës Camilla shkoi e qetë, pavarësisht numrit të lartë të personave të pranishëm për ta ndjekur atë.