ME PËRGJEGJËSINË DHE ANGAZHIMIN TONE qytetar si individë, me paanshmërinë tonë për objektiva të zakonshme të karrierës politike, ne, nënshkruesit e kësaj thirrjeje, të përfshirë në mënyrë konstante në jetën publike, me një lidhje shpirtërore secili prej nesh me Partinë Demokratike, i jemi përgjigjur ftesës së Kryetarit, Enkelejd Alibeaj, për të ndërtuar Këshillin Euroatlantik të Partisë Demokratike si një organizëm këshillimor.
NE JEMI TË SHQETËSUAR se pushteti i gjatë i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama ka krijuar tiparet e një regjimi klientelist, që gjithnjë e më pak ka të bëjë me vlerat themelore të demokracisë, me parimet e sundimit të ligjit, ndarjes demokratike të pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe konkurrencës së lirë, decentralizimit, transparencës, llogaridhënies. Braktisja masive e vendit tej çdo koeficienti të lëvizjes së lirë, sidomos nga të rinjtë, është pjesa më e dukshme mbi ujë e ajsbergut të pasojave. Ndërkohë që opozita e qendres së djathtë vuan pasojat e bojkoteve, të mosrinovimit dhe mosreformimit të saj, të përçarjes, të axhendave personale të disa prej drejtuesve të saj në mbivendosje të interesit publik, të krizës së identitetit në disa vektorë të saj. Si e tillë, jo vetëm nuk ia shkurton, por ia zgjat ditët regjimit në fuqi.
NE MENDOJMË se zhvillimet kritike dhe dramatike brenda Partisë Demokratike, sidomos këto dy vitet e fundit, që kur SHBA shpallën nongrata ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha dhe ai ndërmori pas kësaj përfshirjen e Partisë Demokratike në çështjen e tij, kanë krijuar një mjegullnajë të pazakontë në politikën dhe shoqërinë shqiptare, duke nxitur një retorikë antiamerikane dhe antiiperëndimore të panjohur gjatë këtyre viteve të demokracisë, majtas dhe djathtas, të trashëguar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe rishtare.
NE POHOJME DHE APELOJNE që ekuivoket për orientimin gjeopolitik dhe vënia në diskutim e përkatësinë euroatlantike të PD-së, të djathtës shqiptare dhe të çdo subjekti tjetër, nga kushdo që të provokohet dhe në çfarëdo lloj forme të shërbehet, duhet të refuzohen me mençuri dhe pa asnjë hezitim nga forcat e ndriçuara të shoqërisë, të cilat kanë qenë dhe mbetën gjithnjë shumicë gjatë këtyre tri dekadave të fundit, duke ruajtur si sytë e ballit busullën perëndimore të vendit.
NE KËRKOJMË DHE APELOJME që Partia Demokratike dhe të gjitha strukturat e saj, nga lidershipi deri në bazë, të ndjekin me vendosmëri përcaktimet statuore dhe misionin historik të krijimit të PD-së si parti euroatlantike, t’u rezistojnë dhe të kthejnë mbrapsht retorikat, sulmet dhe goditjet që u vinë nga korente antiamerikane dhe antiperëndimore në vend, të cilat kupola e qeverisë socialiste i shfrytëzon qoftë për të relativizuar para partnerëve amerikanë dhe perëndimorë rekordet negative të qeverisjes së saj, qoftë për të penguar konsolidimin e së djathtës shqiptare dhe shndërrimin e saj në alternativë reale për rrotacionin aq të nevojshëm të pushtetit në Shqipëri.
Kjo vendosmëri është sot jetike dhe ne mbështesim çdo faktor në Partinë Demokratike, çdo kandidat për kryetar bashkie apo këshilltar, të cilët po luftojnë gjatë kësaj fushate elektorale në rrethana mjaft të vështira për të përfaqësuar vullnetin e demokratëve të lirë dhe njerëzve të lirë në këtë vend.
ME BINDJEN se euroatlantizmi është atdhetarizëm, demokraci, siguri dhe zhvillim për sot dhe për brezat; është sovranizmi dhe vetëvendosja jonë më reale dhe me begatuese në kuadrin e integrimit në familjen e kombeve të lira,
NE BËJMË THIRRJE që publiku shqiptar, zgjedhësit në përgjithësi, elektorati gri dhe e djathta euroatlantike, pra jo thjesht anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, t’i përgjigjen me mbështetje veprimit dhe alternativës së PD për të mbrojtur demokracinë dhe parimet e shoqërisë së lirë, kundrejt çdo përpjekjeje për keqorientim të shoqërisë shqiptare apo të së djathtës shqiptare për nga Lindja. Një përgjigje kësisoj bëhet më imperative në kushtet e një agresioni shumë të madh të forcave jo dashamirëse ndaj Shqipërisë, që ashtu si në disa vende të rajonit dhe Europës, synojnë të krijojnë turbullira, të diskretitojnë demokracinë, të largojnë vendin tonë nga kursi perëndimor, nga aleanca dhe miqësia e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Perëndimin. Ne u bëjmë thirrje demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht, plot vetëdije, besim e largpamësi në zgjedhjet 14 maj për t’i dhënë votën kësaj alternative, për ti dhënë mundësi PD-së të ringrihet, të bashkohet e të rritet si forcë fituese e ndryshimit.
Historia jonë e njëqind viteve të fundit dhe virtyti i mirënjohjes na thonë se një lëvizje antiamerikane në trojet shqiptare është e do të ishte një turp kombëtar dhe njerëzor. Të njëjtën gjë na thotë e ardhmja jonë dhe e brezave. Sepse SHBA janë për ne, sikurse për gjithë planetin, ylli polar i lirisë dhe demokracisë.
NE MBËSHTESIM dhe kërkojmë që pas zgjedhjeve të 14 majit ekipi drejtues i Partisë Demokratike të nisë menjeherë riorganizmin, refomimin dhe rivitalizmi të PD-së, t’i hapë rrugën, siç ka lajmëruar vetë, një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës të konkurrimit për organet e reja të PD në ruajtje të vlerave të qendrës së djathtë dhe busullës euroatlantike të saj, krijimit të premisave për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe të zhvilluar me parime demokratike.
Po ashtu, ky këshill beson se reformimi i thellë i sistemit tonë politik përmes ndryshimeve të thella kushtetuese, për një sistem të ri elektoral të hapur dhe konkurrues dhe balancim e ndarje funksionale pushtetesh është baza dhe platforma për të ringritur shpresën dhe gjendjen demokratike në Shqipëri.
Vendin i duhet njëherë e përgjithmonë rrotacioni real i pushtetit si alternim dinamik e jetëdhënës i programeve dhe njerëzve dhe jo mënjë stafetë autokratësh që vetëm i thellon plagët e demokracisë dhe shoqërisë shqiptare.
Si përfundim, ky Këshill angazhohet të ndihmojë, mbështesë, advokojë në jetën publike shqiptare, pranë parterëve ndërkombëtarë, këtë orientim të Partisë Demokratike dhe të ndikojë që procesi pas 15 majit të shkojë drejt ndërtimit të një partie të madhe, alternativë demokratike e pushtetit, e cila të vërë në jetë së bashku me faktorë të tjerë politikë ndryshimin dhe reformimin e sistemit politik, për të kaluar qartësisht në një demokraci funksionale dhe ekonomi të zhvilluar të tregut të lirë në Shqipëri, siç kanë qenë idealet e themeluesve të PD, Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe kontribuesve të saj në 33 vite.
- Edmond Trako
- Eduard Prodani
- Fatos Hoxha
- Gjergji Hani –
- Marcel Hila
- Neli Demi
- Nevila Nika
- Omer Stringa
- Preç Zogaj
- Rushdi Keci
- Vasil Gjika
Tiranë, me 5 maj 2023