Sali Berisha u bëri thirrje tropojanëve dhe të gjithë veriorëve të mos votojnë për Edi Ramën. Në një takim elektoral në vendlindjen e tij, Berisha falenderoi tropojanët për rolin e tyre në fatet e Malësisë së Gjakovës, por edhe të gjithë Shqipërisë.
“Këto zgjedhje janë shumë më tepër, janë shumë më tepër se zgjedhje për qeveri vendore. Janë zgjedhje kundër një njeriu që ka pushtuar, ka marrë në dorë të gjitha pushtetet dhe i përdor kundër qytetarëve. Kundër një njeriu që ka zbrazur Tropojën si asnjë pushtim. Ka larguar çdo institucion. Kundër një njeriu, që javën e parë që erdhi në pushtet, preu ndihmën ekonomike për qarkun e Kukësit në 20 mijë familje.
Ai ftoi qytetarët e Bajram Currit të votojnë për Besnik Dushën, të cilin e quajti menaxheri të shkëlqyer.
Dalja e qeveritarëve para qytetarëve është akt ligjor dhe moral i detyrueshëm. Por Rexha nuk del sepse nuk mund të dalë. I del gropa e madhe që ka bërë në bashki, i dalin tenderat që i ka dhënë siç ai i din. I dalin të gjitha aktet e tij, me të cilat vërtet nuk iu ka shërbyer qytetarëve të Malësisë së Gjakovës, por vetëm xhepit të tij. E pashë në Kukës me Edi Ramën, Edi Rama i thoshte Safet dhe Rexhë, vallen e Tropojës, por ata dinë vetëm vallen e lekut, nuk dinë valle tjetër”, shtoi Berisha. TEMA