Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme nuk po njohin ulje. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik, vetëm në muajin janar janë identifikuar 8 raste të reja me HIV. Shumica e të infektuarve janë meshkuj.
Madje në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria ka numrin më të madh të rasteve me HIV.
ARJAN HARXHI
MJEK INFEKSIONIST, QSUT
“Numri i rasteve që raportohet në maqedoni është 35 në vit, ndërsa Shqipëria 100. Ka një ndryshim më Malin e zi, Kosovën dhe Kroacinë.”
Mjekët ngrenë shqetësimin se të infektuarit, kryesisht mosha të reja, vijnë në stad të avancuar.
“ Për herë të parë në vitin 2021, pamë që mosha më prevalentë ishte 25-35 vjeç që nuk kishte ndodhur më parë. Një % e konsiderueshme e tyre e rasteve të diagnostikuara, vijnë në një stad të avancuar.”
Marrëdhëniet seksuale të pambrojtura, transfuzionet e gjakut dhe kalimi nga nëna shtatzënë te fëmija, janë rrugët e transmetimit të virusit HIV. Specialistët vërejnë se vitet e fundit një faktor tjetër, i cili po njeh rritje, janë marrëdhëniet seksuale brenda të së njëjtës gjini.
“Vërehet një numër më i madh rastesh të personave brenda të së njëjtës gjini, sic janë meshkuj me meshkuj. është kjo kategori djemsh të rinj, të cilët ekspozohen më shumë për shkak të sjelljeve të rrezikshme.”
Në Shqipëri numërohen 780 persona të rritur dhe 12 fëmijë me HIV-AIDS, të cilët janë pjesë e skemës së trajtimit. Megjithatë, kjo shifër mund të jetë më e madhe, pasi shumë nga të infektuarit kurohen jo në spitale publike, por në ato private ose jashtë vendit.
/s.f