Nga Armand Meta
Benet Beci, kandidat i PS-së për Shkodrën, në një intervistë ekskluzive për rtsh.al, ka detajuar projektin e tij për Shkodrën, që duket se përbën edhe sfidën më të madhe elektorale në zgjedhjet e 14 majit 2023. Pse zgjodhi të “sakrifikojë” mandatin e deputetit? A është gara e tij edhe një nga sfidat më serioze të kryetarit të PS-së, Edi Rama, në këto zgjedhje, si dhe këndvështrimi i tij për rivalin që kandidon në emër të “BF”-së, Bardh Spahia.
Sipas Becit, vetëm duke ndërtuar mbi të ardhmen e jo mbi të shkuarën, mbi pozitiven e jo negativen, do mund të ndërtohet ëndrra e përbashkët e një Shkodre, “për të cilën të jemi krenarë, jo vetëm për atë që ishte në të shkuarën, por për atë që është sot e atë që do jetë nesër”.
“Kryefjala për suksesin në Shkodër është ekonomia. Përmirësimi i ekonomisë në qytet, nuk është një slogan për hatër të një programi që duhet prezantuar. Është një nevojë, një bindje, një domosdoshmëri”- thekson Beci.
Intervista
Rtsh.al: Shkodra përbën një nga sfidat më serioze elektorale të 14 majit. Kjo, duke pasur parasysh se PS asnjëherë nuk ka arritur ta drejtojë qytetin më të madh në veri të vendit. Përse e zgjodhët këtë sfidë me shumë të panjohura, duke ‘sakrifikuar’ edhe mandatin e deputetit?
Benet Beci: Shkodra ka qenë arsyeja pse kam pranuar që në fillim të hyja në politikë. E kam thënë shpesh, s’ka qenë vendim i lehtë. Por qe pikërisht mundësia me kontribu për qytetin që më bindi edhe herën e parë. Në parlament nuk arrita me e gjetë hapësirën që duhet me cu punët përpara. Unë jam njeri i punës, i projekteve, jo i fjalëve. Ndaj ftesa me kandidu për bashkinë Shkodër, ishte një dritë që mu ndez, një mundësi që gjithë çfarë di e çfarë kam përvojë ta përkthej në një projekt konkret për qytetin e rrënjëve të mia.
Rtsh.al: Prej muajsh duket se keni nisur të bëni një vëzhgim faktmbledhës për situatën në këtë qytet. Çfarë ju ka rezultuar?
Benet Beci: Gjendja nuk është aq e mirë sa do të donim të ishte, por është edhe mundësia e jashtëzakonshme. Nga banorët po marr motivim, pozitivitet, dëshirë me kap ritmin, me ecë me e zhvillu qytetin, por dhe lodhje nga politika, nga fjalët, zhurma. Nuk ka gjë më shpërblyese se kjo. Ata po më tregojnë përditë që kushtet janë gati, njerëzit janë gati, na duhet veç me nisë projektet që e kthejnë Shkodrën në një qendër projektesh, zhvillimi, mundësish. Ekonomia është kryefjala, drejt forcimit të saj duhen orientuar të gjitha punët. Natyrisht bashkia duhet të bëjë mirë punën e saj në shërbimet e përditshme për cilësinë e jetës së qytetarëve, dhe dua ta cilësoj, në çdo njësi të saj, jo veç në qendrën e qytetit. Por s’mund të mjaftohemi me kaq. Për nga pozita dhe burimet që Shkodra ka, oferta e menaxhimit të qytetit duhet ta tejkalojë patjetër këtë kryerje të punëve të përditshme.
Rtsh.al: Duke parë takimet dhe komunikimet e juaja në rrjetet sociale, apo dhe përmes imazheve, vihet re se po përpiqeni që, qytetit, t’i afroheni më shumë si një administrator se një kombinim mes të qenit figurë politike dhe administruese. Shkodra, ndryshe p.sh nga Durrësi, është një qytet tipik ku merr vlerë më shumë përballja politike, sesa ajo administruese. Mendoni se qasja që ju keni zgjedhur, jo shumë politike, mund të mos prodhojë rezultatin e duhur?
Benet Beci: Unë po kërkoj që Shkodra t’i besojë projektit tim. Unë nuk vij këtu të them më votoni mua se Rama do na e bëjë fushë me lule. Nuk jam unë ai lloj politikani. Madje me thënë të drejtën as dua të jem politikan. Të doja rrija “rehat” si deputet dhe vija flisja në emër të partisë apo drejtuesit të saj. Unë s’e dua këtë, nuk u bëra dot palë kurrë me këtë. Unë dua të bëj atë që di të bëj, të nis projekte, të bëj bashkë njerëz të aftë, të ndërtoj ekipe të qëndrueshme, të hartojmë plane pune konkrete e të thithim donatorë e investitorë strategjikë, do të jetë edhe qeveria njëri prej tyre, s’kam asnjë kompleks për këtë, përkundrazi. Madje, pikësynimi im ky është, ta kthejmë Shkodrën në bashkinë kampione në vend, për sigurimin e fondeve për tu bërë qendra rajonale e zhvillimit, e turizmit, e kulturës e trashëgimisë. Bashkinë që hap vende pune, forcon ekonominë, zhvillon territorin dhe që ka një qëllim ta bëjë Shkodrën qytetin ku të rinjtë duan të kthehen.
Rtsh.al: Duket është bërë traditë që bashkia Shkodër të drejtohet nga PD. A do të jeni ju një përjashtim nga rregulli? Si do ta analizoni këtë traditë dhe punën e kryebashkiakut aktual, Bardh Spahia?
Benet Beci: Në daljet e përditshme tashmë në media, më pyesin për politikë, qeveria kështu, partia demokratike ashtu, por më besoni, këto janë çështje që diskutohen shumë në media, por në takimet e përditshme që unë kam me banorët, fokusi është diku tjetër. Njerëzit diskutojnë për hallet që kanë, për zgjidhjet që duhen gjetur, për punët që duhen kryer. E këtu është pika e fortë e programit tim, gjuha ime e përbashkët me çdo qytetar. Unë jam shumë i bindur që Shkodrës i duhet menaxhim, modestisht besoj se di ta bëj shumë mirë, kam 20 vite sukses që e vërtetojnë këtë. Përsa i përket kryetarit aktual, mendoj se është djalë i mirë, familje e mirë qytetare, i angazhuar prej vitesh me Partinë Demokratike. Të dy një background për t’i dhënë një garë të mirë bashkisë Shkodër pa e tepruar me politikë e me përplasje të kota, mendoj se u ka kaluar koha. Të përqendrohemi te një fushatë alternativash për qytetarët, të zgjedhin atë që u pëlqen më shumë.
Rtsh.al: A mund të përmblidhni disa prej premtimeve tuaja për ndryshimin e situatës në qytet, që mbart mbi supe një histori të lashtë të traditës qytetare, artit, kulturës, tregtisë, polarizimit politik, por edhe të një modeli frymëzimi për stilin e jetesës në mbarë Shqipërinë?
Benet Beci: Shkodra dhe të gjithë ne jemi sot në një udhëkryq të rëndësishëm: ose duhet të merremi seriozisht me shfrytëzimin e pasurive të bollshme natyrore e njerëzore dhe t’i vëmë në shërbim të gjithë banorëve ose të pajtohemi me qenien në periferinë e zhvillimeve evropiane dhe kombëtare, siç fatkeqësisht jemi sot. Ne nuk mund të presim që dikush tjetër në Tiranë a kudo tjetër ta marrë këtë rol për ne. Duhet të marrim menjëherë vetë në dorë frenat e zhvillimit të Shkodrës.
Vetëm duke ndërtuar mbi të ardhmen e jo mbi të shkuarën, mbi pozitiven e jo negativen, të motivuar nga dëshira për mirë e jo nga urrejtja për të tjerët, mbi bashkëpunimin e jo konfliktin ne mundemi ta ndërtojmë ëndrrën tonë të përbashkët të një Shkodre, për të cilën të jemi krenarë, jo vetëm për atë që ishte në të shkuarën, por për atë që është sot e atë që do jetë nesër.
Bashkia, shtëpia e përbashkët e të gjithë shkodranëve, duhet të marrë përsipër rolin që i takon në planifikimin, skicimin e së ardhmes, si dhe të hartimit të projekteve, lobimit për mbështetjen e tyre dhe ndërtimin e një vizioni të ri dinamik, bashkëpunues dhe pozitiv për bashkinë.
Do të jenë tre drejtime kryesore si parime udhëheqëse të punës sime si kryetar i Bashkisë Shkodër:
- Bashkia forcon ekonominë.
- Bashkia është në punë.
- Bashkia është e hapur për të gjithë.
Bashkia si aktor qendror i zhvillimit ekonomik. Si mund ta zbërtheni këtë më konkretisht?
Kryefjala për suksesin në Shkodër është ekonomia. Përmirësimi i ekonomisë në qytet, nuk është një slogan për hatër të një programi që duhet prezantuar. Është një nevojë, një bindje, një domosdoshmëri. E thonë të gjithë, në çdo takim, në çdo bisedë, në çdo biznes. Ekonomia, ekonomia, ekonomia. Kjo është e vetmja rrugë. Turizmi, tregu dhe zhvillimi duhet të jetë në Shkodër jo pse ne jemi shkodranë, por se gjithë graviteti historik dhe qendra rajonale e gjithë kësaj zone ka qenë Shkodra.
Ne nuk bëjmë asgjë veçse kthejmë atë që i takon, atë që duhet, atë që natyrshëm ndodh e kthejmë në Shkodër dhe për këtë duhet një projekt, investime, bashkëpunim e të jemi gati. Unë e shoh që ka energji në Shkodër. E vonuar ka qenë përpjekja për ta filluar këtë projekt, por ndoshta tani është koha e duhur për të filluar një aksion të fuqishëm i qeverisë me bashkinë dhe donatorët të koordinuara dhe me çdo faktor që i shkon për qasje zhvillimit për ta bërë këtë pikë të Shqipërisë një rajon i cili ka rrezatim përtej kufinjve të vet, një rrezatim natyral e historik të të gjithë rajonit.
Do të punojmë për një ekonomi më të fortë, për më shumë vende pune dhe vende pune më të mira. Vetëm me një ekonomi më të fortë, do të kemi një shoqëri më të begatë, të arsimuar, të kulturuar e të zhvilluar.
Për një ekonomi të forcuar bashkia do të punojë për investime publike dhe private të shumëfishuara. Një grup i përqendruar i investimeve publike në territorin e Bashkisë me fonde të qeverisë , donatorëve e bashkisë. Nxitja me çdo kusht e investimeve private për një ekonomi shumë më dinamike gjithashtu. Të gjitha këto ndërhyrje të propozuara jam i sigurtë se do ta bëjnë Shkodrën një destinacion turistik më të avancuar dhe bashkinë me rritjen më të shpejtë të turizmit në vend. Do të krijojmë vende të reja tërheqëse pune dhe mundësi për biznese të reja. Shkodra do të jetë në rrugën qe i takon për të qenë, zemra ekonomike e rajonit.
Është e vërtetë që disa punë në bashkinë tonë mund të bëhen vetëm me bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe donatorëve të huaj, por është po aq shumë e vërtetë se ka plot punë të tjera që mund të bëhen duke u organizuar shumë më mirë vetë. Kemi nevoje të ndërtojmë një bashki qe bën punët e shtëpisë mirë dhe shpejt. Të ndërtojmë një bashki efiçente, që bën plane dhe ekzekuton “pa u menduar” procese pune rutinë.
Jemi me fat që kemi një komunitetit të madh, të ri, të mirëshkolluar. Kemi të gjitha mundësitë që punonjësit e bashkive, një pjesë e të cilëve sigurisht kanë përvojë dhe aftësi të lavdërueshme, mund të bëjnë punë shumë më të mirë dhe më tepër me drejtimin e duhur. Nga ana tjetër bashkia dhe ndërmarrjet e varësisë nuk ka asnjë arsye të jenë çerdhe militantësh partiakë, por do të kenë në pozicione drejtues profesionistë me përvojën dhe arsimimin e duhur.
Në shumë pak kohë do të kemi rezultate të prekshme në të gjithë shërbimet bazë që ofron bashkia. Ndërsa projektet konkrete, me të mbyllur takimet me grupet e interesit, do t’i propozoj shumë shpejt, edhe në takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, edhe në media.
Rtsh.al: Shkodra me 14 maj duhet të votojë PS, apo Benet Becin? Rama, duke ju kandiduar ju, duket se vendosi të “sakrifikojë” një prej personaliteteve më të spikatura brenda grupit parlamentar të PS, sidomos në fushën e menaxhimit. A është ky edhe një bast që Rama ka vënë që PS më në fund të qeverisë edhe bashkinë e Shkodrës, qoftë dhe një herë të vetme?
Benet Beci: Unë e kam thënë disa herë. Jam menaxher, këtë kam bërë gjithmonë, këtë di të bëj. Në rastin tim Partia Socialiste është ai grupim që më pranoi, e më dha mundësinë e besimin të garoj për qytetin tim. Iu jam mirënjohës për këtë, shumë, sinqerisht. Edhe për mikpritjen që më kanë dhënë prej ditës së parë, e deri sot, kur unë nuk jam anëtar i partisë, jam menaxheri tek i cili besojnë. Unë kurrë s’e kam patur parim të punës sime të reklamoj çfarë kam bërë, por ju si gazetarë p.sh, po të pyesnit pak më gjatë, do shihnit se me firmën time, në kohën kur unë isha drejtues i Fondit, janë mbi 91 projekte në Shkodër, 179 në gjithë qarkun.
Rrugë, ujësjellës, rikualifikime, shkolla, terrene sportive. Në periudhën si drejtues i KESH, ndërmora për herë të parë në historinë e KESH, hapa konkretë për shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese si impianti fotovoltaik në digën e Vaut të Dejës, për herë të parë një koorporatë publike përgatiti një strategji për përgjegjësinë sociale të saj, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me komunitetet ku ajo ka ndikim, veçanërisht bashkitë Shkodër e Vau i Dejës. Janë shumë projekte që u realizuan në 2021 në këtë zonë, për të mos thënë edhe se administrova me sukses dhe transparencë situata komplekse gjatë periudhës së pandemisë, si ajo e prurjeve ekstreme të reshjeve në periudhën dhjetor 2020- prill 2021. Këto janë fakte.
Unë jam shumë i bindur që Shkodrës i duhet menaxhim, modestisht besoj se di ta bëj shumë mirë, kam 20 vite sukses që e vërtetojnë këtë. Ndaj kam vendosur të garoj. Qytetarëve shkodranë po i’u kërkoj një vend pune, me CV dhe përvojën time. Besoj se ata do të ma japin besimin të bëhemi bashkë për ta çuar Shkodrën aty ku i takon të jetë.