Gjatë vitit 2022, qytetarët shqiptarë i janë drejtuar më pas gjykatave krahasuar me një vit më parë. Këto janë të dhënat e bëra publike nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në raportin zyrtar për 2022.
Më konkretisht, referuar këtyre të dhënave, gjatë vitit 2022, sistemi gjyqësor është përballur me një ulje minimale të ngarkesës së punës, ku numri total i çështjeve në shqyrtim në vitin 2022 është 0.4% më i vogël se në vitin 2021. Megjithatë, ndonëse në ulje, KLGJ vlerëson se stoku i dosjeve vijon të jetë tepër i lartë, kjo për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve. E përkthyer në gjuhën e shifrave, për 2022 një gjyqtar ka shqyrtuar 561 çështje.
“Pjesa më e madhe e gjykatave kanë funksionuar me kapacitet të reduktuar të gjyqtarëve, nën 70% (25 nga 38 gjykata), ndërsa në nivel kombëtar vetëm 56% e organikës së gjyqtarëve kanë qenë efektivisht në detyrë gjatë vitit 2022. Ngarkesa e punës në gjykata është përballuar nga vetëm 228 gjyqtarë ose 8.2 gjyqtarë për100.000 banorë. Ky raport është më pak se 40% e normës evropiane (22.2 gjyqtar për100.000 banorë). Rendimenti mesatar i punës për gjyqtar në rang vendi, gjatë vitit 2022, ka qenë pothuajse 561 çështje për gjyqtar, që shënon një rritje me 25 çështje (536 në 2021) më tepër krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raport.
Si rezultat i vettingut janë larguar nga detyra 65 gjyqtarë, e ndërsa sot sistemit i mungojnë plotë 180 “toga të zeza”. Në total, referuar dekretit të presidentit do duhet të jenë 408 gjyqtarë, por në fakt janë 228 aktualisht që po ushtrojnë efektivisht detyrën.
/a.r