Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi dhe nënkryetarja e KQZ-së Lealba Pelinku kanë dhënë një deklaratë për mediat këtë të Premte sa i takon procesit të votimit më 14 Maj.
Pelinku tha se qëllimi është që në qendrat e votimit të ketë 5 mijë operatorë të cilët do të jenë të mirëtrajnuar në ditën e zgjedhjeve lokale.
“Tani që flasim kemi shtyrë afatin e aplikimeve për shkak të mos mbushjes së qendrave të votimit, shpresojmë të kemi 5 mijë operatorë, kemi shtyrë dhe afatin e trajnimit që në ditën e zgjedhjeve të kemi në nivelin më të lartë të votimit me operatorë.”
Ndërsa Celibashi theksoi se me pajijsjen e re teknologjike shmangia e identifikimit biometrik nga votues të caktuar do të jetë e pamundur. Për herë të parë deklaroi ai, do ketë të dhëna reale mbi numrin e pjesëmarrësve në votim.
“Kemi përmirësuar ndjeshëm gjithë sistemin e protokollimit të rasteve kur për arsye objektive nuk mund të bëhet identifikimi biometrik i votuesve. Sistemi është i tillë që nuk lë shkak dhe mundësi për këdo që në mënyrë manipulative kërkon të shmangë identifikimin biometrik. Një votues nëse do të përdorë një mënyrë për ta shmangur identifikimin biometrik do jetë qartësiësht e evidentuar se për çfarë arsyesh. Kemi pasur raste që i kemi identifikuar ku votues të caktuar ka gjetur mënyrën e shmangies së vënies së gjurmës së gishtit. Tashmë me një sistem më të mirë të operatorëve besoj se procesi i identifikimit biometrik do të jetë më mirë i realizuar.
Gjë e shtuar në këtë sistem është transmetimi në mënyrë periodike i të dhënave mbi pjesëmarrjen në ditën e zgjedhjeve. Për herë të parë falë kësaj teknologjie, ne do kemi të dhëna reale mbi numrin absolut të pjesëmarrësve në votim, nuk do ta bazojmë përqindjen në sondazhe por në faktin konkret dhe ne këto të dhëna do t’i bëjm publike. Edhe vetë operatorët e kanë të qartë, zhvilluan një proces intensiv trajnimi dhe nëse ka një gjë që kanë kuptuar është se nuk duhet të vendosin gishtat në pajisjet e identifikimit biometrik. Nëse ky do të jetë rasti, votuesi që për arsye më shumë subjektive nuk lë shenjën e identifikimit, duhet të firmosë kuponin e pajisjes dhe te lista e zgjedhësve.”
Një fenomen i shpeshtë në zgjedhje ka qenë dhe votimi i shumëfishtë. Për këtë Pelinku u shpreh se tashmë rastet janë të izoluara dhe lehtësisht të dedektueshme.
/a.r