Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama u ndal në Kukës dhe zhvilloi një takim me qytetarët për zgjedhjet e 14 Majit.
Rama komentoi kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Kukësit, Admir Sinamati, për të cilin thotë se po merr shpërblimin për mbrojtjen që i ka bërë Berishës kur ndodhi tragjedia e Gërdecit.
Kryeministri shtoi se Sinamati ka ndërhyrë tek letrat e Gërdecit për të mbuluar Berishën, e pikërisht për këtë arsye Rama tha se e ka kandiduar në këto zgjedhje.
“Njeriu e humb. Politika të merr mendjen, pushteti të merr mendjen. Lërë pastaj po u fute në hallet si e atij të shkretit, sa të thotë Amerika mu hiq sysh se s’të shoh dot me sy. Ca ti thuash. E keni pa vjen vërdallë vetëm sha. Merret me njerëz, gra, burra, kalamaj se kujton se janë gjithë si puna e atij.
Që edhe këtë kandidatin këtu e ka sjell për hall. E dini ju. E ka ndihmu ai. E ka ndihmu me ato letrat e Gërdecit. Po nuk ka rëndësi, edhe sikur mos ta kishte ndihmi me letrat e gërdecit, ata gërdecin e kanë në kokë të gjithë. Ku janë ata ka një gërdec”, tha Rama.
Por kush janë kandidatët që Berisha i dha fitoren në primare për të kandiduar në Kukës dhe Berat. VoxNews ka mësuar se dy doktorët kandidatë në zgjedhjet e 14 Majit në Kukës, Admir Sinemati dhe në Berat, Zija Ismaili janë akuzuar se kanë manipuluar dosjen e ‘Kosta Trebickës’.
Biznesmeni i cili më 12 shtator 2008, u gjet i vdekur në rrethana misterioze, në një fushë mbi Voskopojë, ishte dëshmitari kyç i Gërdecit.
Sipas drejtësisë, Kosta Trebicka humbi jetën në aksident, por ka dyshime të forta se Trebicka është eliminuar nga persona me pushtet, për shkak të asaj që dinte për aferën korruptive të Gërdecit.
Autopsia e Trebickës asokohe u krye me pjesëmarrjen e katër ekspertëve mjekoligjorë, nga të cilët dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë. Një prej tyre në atë kohë ishte ish-zëvendësdrejtori Admir Sinamati, i cili sot është kandiduar nga Berisha për Bashkinë e Kukësit dhe Zija Ismaili i cili kandidon për bashkinë e Beratit.
Mediat shkruanin asokohe se me Sinamatin ka qenë edhe një vartës i tij, Zija Ismaili, i cili po ashtu nuk ishte ndër ekspertët më me përvojë aty, e madje për këta të dy ish-drejtues të Mjekësisë Ligjore kanë thënë se nuk ishin më të mirët e institucionit, duke lënë të hapur debatin se përse u zgjodhën pikërisht këta dy persona për të kryer një ekzaminim kaq të vështirë.
/a.r