Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, është takuar këtë të premte me Martin Schulz, President i Fondacionit “Friedrich Ebert”. Ata paralajmëruan për mediat organizimin e një konference të madhe për të majtën europiane në Tiranë.
“Jemi duke punuar së bashku me Fondacionin në lidhje me politikën e jashtme, në lidhje me sfidat që kalon Shqipëria në këtë periudhë, që kalon Ballkani Perëndimor dhe pse jo të rrisim bashkëpunimin në të gjitha nivelet europiane. Siç e tha vetë me Fondacionin “Friedrich Ebert” ne po përgatitemi të zhvillojmë një konferencë të madhe në lidhje me të majtën progresive dhe idetë për të ardhmen, me gjithmonë fokusin, integrimin në BE dhe sfidat që kalojmë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Gjiknuri.
Pyetjes nëse në këtë konferencë do të ftohet edhe Ilir Meta, Gjiknuri iu përgjigj kështu: Ilir Meta është i rreshtuar me koalicionin e së shkuarës dhe nuk ka më lidhje me të majtën. Besoj që ju e dini se ai nuk është më pjesë e grupeve progresive të majta dhe nuk përfaqëson më asgjë me të majtën. Edhe vetë emrin e ka ndryshuar kështu që e ka zgjidhur këtë dilemë vetë, nuk ka nevojë që ta komentojmë këtu.
Schulz ka qenë kryetar i Social-Demokratëve në Gjermani. Po ashtu ai ka mbajtur edhe role të rëndësishme në BE, pasi ka qenë Presidenti i Parlamentit Europian.
/a.r