Pagat nga 40 mijë deri në 60 mijë lekë të reja në muaj bruto do të përfitojnë një zbritje të lehtë në taksa, duke nisur nga 1 Qershori. Ligji i ri i tatimit mbi te ardhurat, i botuar tashmë në fletoren zyrtare, përcakton se tatimi zerohet për pagat deri në 50 mijë lekë dhe paguhen vetëm kontributet, për një kursim prej 1,300 lekësh në muaj.
Ndërsa për një page prej 60 mije lekësh, zbritja do të përkthehet në 650 lekë në muaj ( nga 3,900 lekë në 3,250 lekë).
“Përsa i përket personave të një punësuar i vlen kjo pjesë, por nga ana tjetër të dy punësuarit pavarësisht se sa rritet dyshemeja për tatimin mbi të ardhurat, ato fillojnë dhe tatohen nga vlera zero dhe i rëndon këta persona që sakrifikojnë me orë të gjata. Të ardhurat që hyn nga kjo taksë, le të mendohet diçka më lehtësuese, për shtetin nuk është diferencë e madhe por për individin është frymëmarrje pasi le të rriten të ardhurat kur rriten çmimet”, shprehet kontabilistja Etleva Treska.
Ky vendim nuk pritet të ndikoj në rënien e të ardhurave nga tatimet sipas kontabilistes Treska pasi prek vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë.
58 mijë është numri i të punësuarve me pagë nga 40 mijë deri në 50 mije lekë në muaj sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet të cilëve u bëhet zero tatimi mbi pagën.
/s.f