Më shumë se 20 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftimet në Ukrainë, që nga muaji dhjetor, teksa 80 mijë të tjerë janë plagosur, njoftoi zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, John Kirby, duke cituar burime të inteligjencës amerikane.
Gjysma e të vrarëve, sipas tij, janë pjesë e grupit të mercenarëve Ëagner, të cilët kanë qenë në luftime në qytetin lindor të Bakhmut.
Prej vitit të shkuar, Rusia është përpjekur të pushtojë qytetin e vogël, si për t’i hapur ushtrisë së saj një shteg të qetë drejt territorit ukrainas.
Moska aktualisht ka nën pushtimin pjesën më të madhe të Bakhmutit, por trupat ukrainase janë ende nën kontroll të pjesës perëndimore të qytetit.
Pushtimi i qytetit apo çlirimi i tij ka një simbolikë të rëndësishme për të dy palët.
“Përpjekja e Rusisë për një ofensivë në rajonin e Donbas kishte për synim vetëm Bakhmutin, por ajo dështoi atje. Rusia deri tani ka qenë e paaftë për të fituar territore të mëdha apo me rëndësi strategjike në Ukrainë”, tha Kirby për gazetarët.
Kirby theksoi po ashtu se nuk mund të flasë për të rënët ukrainas në luftë sepse ata janë viktima dhe Rusia është agresori.
/a.r