Me kritika të shumta u drejtua kryeministri Edi Rama ndaj disa prej pronarëve të fasonerive në Korçë, për të cilët tha se kishte një mesazh pasi po shfrytëzojnë gratë me paga nën kufirin minimal të përcaktuar.
Ai tha se të gjithë ata punëdhënës që shfrytëzojnë punonjëset me paga minimale do të kenë pasoja të rënda siç edhe ligji e përcakton.
“Kam një mesazh për dy a tre individë që nuk po ua përmend emra, që janë pronarë në industrinë prej material porositësi dhe nuk u japin grave atë rrogë që meritojnë. Unë u coj një mesazh që të rregullojnë urgjentisht marrëdhëniet me ato gra që punojnë aty. 40 mijë lekshin nuk duhet ta diskutojnë aspak, duhet ta japin në bankë. Bëjnë mirë të marrin avokatë nëse janë analfabetë dhe nuk dinë të lexojnë ligjin. Ta lexojnë dhe të shohin se çfarë pasojash kanë nëse u hanë hakun punëtorëve tek paga.
Nëse nuk futen në kornizën e ligjit, do më kenë mua tek fabrika, për t’i bërë leckë në sy të të gjithë popullit shqiptar. Dhe pastaj t’u rrojnë miliardat, t’u rojnë miliardat dhe shtëpitë e treta. Sepse do ta kenë për turp të shohin në sy fëmijët e tyre. Sepse ato gra janë si motrat dhe nënat e tyre që meritojnë hakun. Sipërmarrësve u them: ua njohim të gjithë kontributet, por ama atyre sipërmarrësve që nuk do kuptojnë se kemi hyrë në një luftë në Europë për krahun e punës, do t’i godasim pa asnjë mëshirë, do i bëjmë shembull, do i vëmë në rrugë dhe tabela dhe do u themi turp turp!”-tha Rama./m.j