Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar sot një takim elektoral me qytetarët në Mallakastër, duke iu kërkuar mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie, Agron Kapllanaj.
Ai u shpreh se pavarësisht problemeve brenda PD, në fund ai zgjodhi të vërë interesin e shqiptarëve përpara atij personal.
“Pas fitores që mesa duket thuajse është e vendosur në 14 maj, zakonisht kryetari I bashkisë del dhe flet për projektet të cilat do të bëjë. Në fakt Agron Kapllani e bëri që sot. Sepse qeverisja në Mallakastër, qeverisja e demokratëve, qeverisja e Agronit ka qenë pikërisht kjo: dhënia e fjalës, dhënie e premtimit dhe mbajtja e saj ashtu siç ndodhi nga 2015-ta në 2019-ën.
E pra, ne e kemi shembullin të gjithë se si mund dhe duhet të qeveriset nga ana e njerëzve të përgjegjshëm, nga ana e njerëzve të cilët kanë si synim kryesor jo aq shumë ngjyrimet politike, sesa interesin e qytetarëve të Mallakastrës dhe ky është rasti që Agroni e ka treguar në të shkuarën dhe jep garanci edhe për të ardhmen.
Është e rëndësishme që sa herë flitet për çështje politike, e para do të duhet të shihet nga vetja. Dhe unë këtë dua të bëj. Së pari dua t’u kërkojë të gjithëve juve një ndjesë që katër vite më parë, në 2019-ën, morëm një vendim I cili rezultoi të ishte i gabuar. I braktisëm në fakt zgjedhjet lokale të 2019-ës, e në fakt rezultoi që ishte një lëvizje e gabuar. Ndjesë për këtë veprim që bëmë në atë kohë, jo se thjesht dhe vetëm pamë atë se ç’ishte konjektura politike e momentit, por ajo se çfarë ndodhi realisht, ishte në një farë mënyrë, i lamë vetëm qytetarët e Mallakastrës.
Ndaj është e udhës sot, për aq sa më takon dhe nuk më takon pak në këtë pozicion që kam të kërkoj ndjesë për katër vite që e lamë Mallakastrën dhe Mallakastriotët të braktisur në dorën e pamëshirës që ndodhej qoftë të Edi Ramës, qoftë dhe të përfaqësuesve të tyre. E mbani mend, e mbaj mend në fakt shumë mirë atë ditë që edhe pse kishin mbaruar zgjedhjet, ajo bashki u shpërthye.
U shpërthyen dyert, teksa u futën ashtu kaçakshe, vjedhurazi. E në fakt, ashtu ndodhi edhe në këto 4 vite. Në katër vite ajo bashki u përdor thjesht dhe vetëm si një mjet për ta mjel. Kurrsesi për t’i shërbyer qytetarëve, kurrsesi për t’i kthyer ato para të buxhetit, të taksave, të ktheheshin në shërbime. Jo, thjesht dhe vetëm u përdor si një mjet për t’u majmur sipas modelit të Edi Ramës atje. E pra 14 maji është momenti që ajo bashki t’i kthehet jo Agron Kapllanajt, t’i kthehet qytetarëve të Mallakastrës dhe kjo mund të bëhet duke qenë të gjithë së bashku”, deklaroi Alibeaj.
/s.f