Ish-kryeministri Sali Berisha lidhi një kontratë lobimi me kompaninë Prime Policy Group për të advokuar për llogari të tij pranë qeverisë amerikane në Uashington, një shërbim që kompania pranoi ta kryejë “pro bono”, pra, pa pagesë.
Berisha, i cili u emërtua si “person i përfshirë në korrupsion madhor” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021, vendim që përfshin ndalimin e hyrjes së tij dhe të familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, pretendon se është viktimë e lobimit në SHBA të kundërshtarit të tij politik Edi Rama.
Prime Policy Group është një kompani e madhe lobimi me dhjetëra klientë dhe prezanton si kartë të fortë të vetën aftësinë për të punuar me të dy krahët e politikës amerikane, Republikanët dhe Demokratët.
Gjithsesi, problemi kryesor i Berishës, emërtimi nga Departamenti i Shtetit, gjë që në Tiranë është bërë togfjalësh politik “non grata”, duket se nuk preket drejtpërsëdrejti në kontratën e lobimit.
Sipas kontratës, shërbimi konsiston në: “advokimin për këndvështrimet e klientit mbi marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe problemet rajonale në Ballkan.”
Pasi u “emërtua” nga Departamenti i Shtetit, Berisha u rikthye në politikë aktive dhe aktualisht është drejtuesi de-facto i grupimit kryesor opozitar që garon në zgjedhjet për pushtetin vendor të 14 majit.
Disa zyrtarë dhe politikanë shqiptarë janë emërtuar “të përfshirë në korrupsion madhor” nga Departamenti Amerikan i Shtetit si dhe nga Departamenti Amerikan i Thesarit, si pjesë e politikës së SHBA-së për të ndihmuar luftën kundër korrupsionit në botë.
BIRN