Ndonjëherë harrojmë se sa e rëndësishme është t’ua shprehim të dashurve tanë dashurinë dhe mbështetjen duke i mbajtur këto mesazhe brenda vetes për shumë kohë. I njëjtë është edhe rasti i Dedës, i cili ka ardhur t’ia thojë të gjitha këto gruas së tij, Marjetës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.
Në 32 vite, Marjeta ka përjetuar një gjendje të vështirë shëndetësore dhe ka kryer 4 operacione. Gjatë vitit të fundit, Deda ka vënë re se lodhja e ka kapluar Marjetën në çdo dimension dhe kjo e ka shtyrë që ta ftojë për t’ia kujtuar sa e pamposhtur është.
Deda: Marjetë, e di se je e emocionuar. Në radhë të parë, ke kaluar një jetë shumë të vështirë, 32 vite me të mirat dheme të këqijat, ia ke arritur dhe ia ke dalë me 3 komponentë: të jesh një nënë shembullore, një grua me karakter të fortë që nuk je dorëzuar në mënyrë kategorike por edhe profesionin tënd si mësuese që jeta jote ka qenë pothuajse dy dekada e lidhur me nxënësit.
Në radhë të parë, unë të kërkoj ndjesë Mari sepse asnjëherë nuk është vonë për të kërkuar ndjesë se ndoshta nuk jam treguar aq i vëmendshëm ndaj teje për sa i përket shëndetit, për sa i përket sëmundjes që ke kaluar ti dhe për të të bërë të gëzuar në raste të veçanta siç janë festat e mësuesit apo ditëlindjet, që janë shumë të rëndësishme.
Mesazhi im, përveç ndjesës, është që Marie, ti ke arritur gjithçka në jetë falë vullnetit, falë iniciativës tënde, e di që ke kaluar momente të vështira dhe je duke kaluar momente të vështira me shëndetin, por ajo që dua të them në emrin tim dhe të fëmijëve është që do të kesh mbështetje të jashtëzakonshme nga ne dhe ne nuk të lëmë në asnjë çast dhe ajo që është më e rëndësishme, do kesh edhe vëmendjen qoftë të timen se ndoshta në disa raste të ka munguar. Për fëmijët nuk mund të them asnjë send sepse e di sa lidhje ke me ta dhe sa fëmijë të edukuar e fantastikë kemi.
Marie, unë ndihem me fat që kam pasur një bashkëshorte… pra shortetë e jetës për mua kanë qenë të mira. Do të bëj maksimumin dhe do të të mbështes tërë jetën. Është zgjedhja jote, unë e di që jeta jote është e lidhur me nxënësit dhe e ke me përkushtim, ti e di vetë, ne nuk kemi asnjë lloj të drejte për të të ndërhyrë.
Shpresoj që problemet shëndetësore të vijnë në përmirësim dhe ajo që është te të dy, besimi në Zot se pa besimin në Zot nuk mund të bëjmë asgjë dhe unë them që do t’ia dalësh. Ti ke arritur të rrëzosh të gjitha barrierat e jetës në kushte të pabarabarta, por që mua si bashkëshort nuk më ke lënë asgjë mangët në të gjitha problemet. Unë gjej rastin të të falenderoj shumë, por pse jo edhe të të kërkoj një ndjesë publike dhe do kesh mbështetjen time. Ky është mesazhi im.