Nga fushata në Gjirokastër kryesocialisti Edi Rama është zhvendosur në veri të vendit, për të kërkuar një mundësi nga demokratët, votën e 14 majit për PS.
Nga Malësia e Madhe ku prezantoi kandidatin e mazhorancës, kryebashkiakun aktual Tonin Marinaj, kryeministri bëri edhe një bilanc të punëve të bëra në këtë qark.
Ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos votojnë si “tifozë” por të zgjedhin ata që u bëjnë punën, Rama theksoi edhe një herë se nuk është e vërtetë që ai nuk e do veriun e vendit.
“Për ne nuk ka demokratë dhe socialistë kur është puna për të bërë detyrën,” shtoi ai.
Kreu i socialistëve nuk la pa përmendur Shkodrën, që sipas tij është qyteti i vetëm ku mungon pastrimi.
“Kazanin me plehra sot e gjen vetëm në Shkodër sepse Shkodra nuk na e ka dhënë asnjëherë shansin, për tifozllik, për fiksim.”
Sipas Ramës, qeveria e tij ka bërë më shume për Shkodrën nga sa bëri e djathta për aq vite sa ishte në pushtet.
Po ashtu, kryeministri e zbuti retorikën e ndjekur së fundmi duke u thënë qytetarëve që jo se qeveria nuk do t’i mbështesë nëse zgjedhin kandidatë të opozitës, por se “me ta është i pamundur bashkëpunimi.
“Mos na vështirësoni punën duke na vënë njerëz që e kanë mendjen prapa. Jo se ne nuk duam, dhe nuk do të bashkëpunojmë, duke lënë prapa një komunitet që zgjodhi personin e gabuar.”
/a.r